Ndërlidhjet

logo-print

U shënua 134-vjetori i Lidhjes së Prizrenit


Ilustrim

Ilustrim

Me rastin e 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, përkujtuan dhe vlerësuan lartë personalitetet dhe ideologët e formimit të kësaj lidhjeje si Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Hasan Prishtinën, Sylejman Vokshin e shumë të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se shumë patriotë në atë kohë me mençuri dhe vizion reaguan përballë rreziqeve që cenonin ekzistencën e popullit shqiptar.

“Pavarësia e Kosovës në shekullin XXI e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës e forcoi kombin shqiptar. Në 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë më 2 korrik 2012 Kosova edhe përfundimisht e përmbyll fazën e pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe të të gjitha kohëve. Ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon ngjarje me kulmore pas luftërave të Skënderbeut.

Berisha theksoi se personalitete shqiptare të asaj kohe u mblodhën në këtë vend për synimin që kishin, një komb një qëndrim.

“Ata do të mblidheshin këtu të bindur se bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për t’u përballur me mynxyrat që gatuheshin në Shën Stefan në Berlin dhe në kancelaritë e tjera të Evropës së asaj kohe”.

“Lidhja e Prizrenit ia doli të përballet me pushtetet dhe vullnetet e liga të superfuqive të kohës; të krijojë ushtrinë shqiptare pas katër shekuj të ushtrisë së Skënderbeut; të krijojë diplomacinë shqiptare pas katër shekuj të diplomacisë së Skënderbeut”, theksoi Berisha.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, tha se shqiptarët me qëndresën dhe pjekurinë e tyre më në fund, kanë krijuar miq të fuqishëm, ndikimi i të cilëve shtrihet në përmasa globale.

“Shqiptaret kurrë në historinë e tyre nuk kanë pasur pozicion me të mirë. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dhe 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës është dëshmia më e mirë se shqiptaret janë faktor vendimtar në rajonin e Ballkanit si një ndër kombet më të mëdha dhe më të fuqishme”.

“Në aspektin historik, gjeografik dhe kulturor, populli shqiptar ka qenë gjithmonë popull evropian. Synimi për anëtarësim të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është kërkesa dhe synimi më i natyrshëm i shteteve tona”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri shqiptar nga Prizreni ftoi fqinjët që, siç tha ai, “t’i lënë paragjykimet për shqiptarët”.

“Nga Prizreni edhe një herë dua të ftoj fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptareve. T’i lënë me një anë betimet mbi ne, se dhe të tjerët kanë bërë mjaft të tilla dhe u kanë shkuar huq. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë atë të ardhme, të cilën e kërkojnë popujt tanë. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen evropian si e ardhmja më e shkëlqyer”, potencoi Berisha.

Nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptar të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.

Sipas të dhënave historike, qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media bëri të ditur se 12 aktivistë të kësaj lëvizjeje, janë arrestuar në paraditen e së dielës, 10 prej të cilëve më vonë janë liruar, kurse të tjerë po mbahen ende në polici.

Në njoftim thuhet se aktivistët u arrestuan derisa ishin duke stolisur qytetin me flamuj kombëtarë për nder të 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lajmin për, siç thuhet, shoqërim në stacioni policor të Prizrenit e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha.

“E para është se ata janë shoqëruar deri në stacionin policor të Prizrenit, dhe me procedurë të shkurtër do të dërgohen para gjyqtarit për kundërvajtje. Ata janë shoqëruar në polici me arsye se kanë vendosur flamuj kombëtarë dhe kanë hequr flamuj dhe simbole tjera, p.sh si flamuj të Kosovës dhe shteteve tjera mike që kanë ndihmuar Kosovën”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi Berisha.

Vetëvendosja tha se këto arrestime i konsideron si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën e kësaj date dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG