Ndërlidhjet

Socialistët francezë fitojnë zgjedhjet

  • RFE /RL

Fransua Holland

Fransua Holland

Rezultatet finale të raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë tregojnë se socialistët e presidentit Fransua Holland kanë siguruar shumicën e nevojshme për të çuar përpara reformat ekonomike.

Rezultatet e lëshuara nga Ministria e Brendshme tregojnë se socialistët dhe aleatja e tyre, Partia e Gjelbër, kanë fituar afro 46 për qind të votave, ndërsa partia e ish-presidentit Nikolas Sarkozi ka siguruar 34 për qind të tyre.

Këto të dhëna pritet të konfirmohen edhe në raundin e dytë të votimeve që do të zhvillohet më 17 qershor.

Liderja e Partisë Socialiste, Martinë Obri, ka falënderuar votuesit për mbështetjen.

“Mendoj se francezët kanë dashur t’i japin sinjalin e besimit Fransua Hollandit dhe ndryshimeve që tashmë kanë nisur të ndodhin me qeverinë e tij. Dhe, kjo është ajo në të cilën kemi insistuar. Ne kemi nevojë për një shumicë, për të vazhduar në çështjen e punësimit, rritjes ekonomike dhe drejtësisë”, ka thënë Obri.

Holland ka fituar postin e presidentit në zgjedhjet e 6 majit dhe tashmë ka ndërmarrë një sërë reformash populiste, si: shkurtimi për 30 për qind i pagave të ministrave dhe ulja e moshës së pensionit për disa punëtorë nga 62 në 60 vjeç.

Por, ai është i etur për reforma shtesë, përfshirë rritjen e taksave për të pasurit dhe planin për punësimin e 60,000 mësuesve të rinj në sistemin shkollor të vendit.

Anëtari i Partisë Socialiste, Beno Hamon, ka mirëpritur rezultatet e zgjedhjeve, por ka thënë se duhet pritur raundin e dytë për të përcaktuar numrin e saktë të ulëseve parlamentare për ekipin e Hollandit.

“Kjo konfirmon se francezët duan t’i japin Fransua Hollandit mjetet për të realizuar politikat që ka premtuar. Por, në të njëjtën kohë, është raundi i dytë momenti kur ne duhet të gëzohemi. Ky është hapi i parë pozitiv”, ka thënë Hamon.

Elsa Genetej, mbështetëse e Partisë Socialiste, i është gëzuar po ashtu mundësisë për ndryshime.

“Jemi shumë të lumtur, pa dyshim, sepse tani, me shumicën në Asamblenë Kombëtare, Fransua Holland do të jetë në gjendje të realizojë politikat e tij. Jam shumë e kënaqur me këtë rezultat”, është shprehur kjo qytetare.

Vota e besimit për Hollandin mund ta thellojë statusin e tij në Evropë dhe ta bëjë Francën element të fuqishëm kundrejt Gjermanisë, në kohën kur Berlini po udhëheq debatin për mënyrat se si 17 vendet e Eurozonës duhet të luftojnë krizën financiare.

Zgjedhjet e së dielës kanë treguar rritje të mbështetjes edhe për ekstremin e djathtë, përkatësisht Frontin Kombëtar të Marinë Le Penit, e cila ka kërkuar që Franca të braktisë euron dhe të luftojë kundër “islamizimit të vendit”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG