Ndërlidhjet

Dita e Lirisë, shtysë drejt shtetndërtimit


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga
Dita e Lirisë “na bën të jemi të palëkundër në rrugën tonë drejt ndërtimit të një shteti të konsoliduar dhe demokratik”, ka thënë presidentja Atifete Jahjaga, në deklaratën me rastin e 12 Qershorit- Ditës së Lirisë.

“Çlirimi dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për këto ideale. Kjo arritje madhore u realizua falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe përkrahjes dhe angazhimit të pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ndër të tjera presidentja.

“Rruga jonë drejt lirisë ishte përplot sakrifica dhe përpjekje vetëmohuese, por ishte edhe një rrugë e lavdishme që na bën të jemi krenarë dhe të përkushtuar në realizimin e të gjitha synimeve tona në rrugën e integrimeve euroatlantike, me anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratë.

Në këtë ditë të shënuar për vendin tonë ne nderojmë vizionarët e shtetit të Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, ka thënë presidentja Jahjaga, për të shtuar se “nderojmë ata burra dhe gra të NATO-s, që u angazhuan gjatë sulmeve ajrore për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të Kosovës si dhe pas çlirimit në misionin paqeruajtës në Republikën e Kosovës”.
XS
SM
MD
LG