Ndërlidhjet

FMN: Kosova ka përmbushur kriteret për marrëveshjen SBA


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka bërë rishikimin e parë të marrëveshjes “Stand By Arrangement” (SBA), me Qeverinë e Kosovës. Zyrtarë të FMN-së, në një konferencë për media në Prishtinë, theksuan se Qeveria e Kosovës është duke përmbushur me sukses kriteret e marrëveshjes “Stand By” të arritur me FMN-në, në muajin mars.

Misioni i FMN-së ka qëndruar në Kosovë që nga data 31 maj dhe gjatë kësaj kohe janë diskutuar kriteret që duhet përmbushur për arritjen e marrëveshjes “Stand By”.

Kryesuesi i këtij misioni, Johanes Uiegand tha se politika makroekonomike dhe financiare e Kosovës është në rrugë të mbarë dhe se shumica e kritereve të performancës janë përmbushur.

“Ne kemi bërë rishikimin e parë të marrëveshjes ‘Stand By’. Kemi përfunduar edhe letrën e qëllimit të mirë dhe do t’ia dërgojmë menaxhmentit dhe bordit ekzekutiv dhe presim që ajo të miratohet kah mesi i muajit korrik”.

“Fondi i parë prej 46 milionë eurosh do të paguhet në llogarinë e Qeverisë. Politikat makroekonomike të Qeverisë janë në rrugën e duhur, të gjitha kriteret strukturore dhe veprimet paraprake janë përmbushur - ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet e qëndrueshme”, tha Uiegand.

Ai, po ashtu, theksoi se shpenzimet kapitale dhe të hyrat tjera po e financojnë deficitin dhe Kosova nuk ka qenë shumë e ndikuar nga kriza evropiane, për shkak të qasjes së limituar.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se shumica e kritereve të marrëveshjeje “Stand By” janë përmbushur me sukses.

“Ne kemi arritur që kriteret e performancës, duke përfshirë nivelin e bilancit primar, nivelin e shpenzimeve dhe të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me këtë çështje, t’i përmbushim suksesshëm. Gjithashtu edhe kriteret tjera që kanë qenë pjesë ë kësaj marrëveshjeje dhe mund të them që janë përmbushur këto kritere. Kemi modifikuar dhe modeluar zgjidhje për çështje të caktuar që kanë qenë pjesë e marrëveshjes”, thekson Hamza.

Hamza vlerësoi se sistemi makrofiskal në Kosovë është stabil, dhe se po ashtu ka një trend të kënaqshëm të të hyrave dhe që, sipas tij, deri në fund të vitit do të përmbushet plani të hyrave.

Sa i përket sektorit bankar, guvernatori Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, theksoi se ky sektor vazhdon të mbetet stabil dhe mirë i kapitalizuar.

“Dua të përsëris që BQK-ja qëndron fort e përkushtuar që të sigurojë stabilitetin financiar dhe në këtë drejtim, duke iu referuar të Ligjit mbi bankat dhe institucioneve mikrofinanciare, ne kemi filluar t’i rrisim kërkesat tona për një qeverisje edhe më cilësore kooperative në sistemin bankar të Kosovës”, u shpreh Gërguri.

Bordi ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, kishte arritur marrëveshjen 18 mujore “Stand By Arrangement” (SBA), por kjo ishte ndërprerë më 2011 për shkak të një kontesti me Prishtinën, pas rritjes së pagave për shërbyesit civilë.

Ndërkaq, në mars të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar aprovoi marrëveshjen e re “Stand-By” me Kosovën. Përmes këtij programi gjatë periudhës 20 mujore Qeveria do të përfitojë 107 milionë euro për buxhetin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG