Ndërlidhjet

Maqedoni: Gazetarët protestojnë para Gjykatës


Gjykatat e Maqedonisë të respektojnë me përpikëri ligjet e vendit, si dhe konventat ndërkombëtare që i ka nënshkruar Maqedonia si vend që aspiron integrimin në familjen evropiane, duke mos u bërë pre e presioneve nga politika, porositi kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, gjatë protestës së gazetarëve që u zhvillua para Gjykatës Penale në Shkup.

"Protestojmë ndaj atyre gjykatësve, të cilët shqiptojnë dënime të larta për veprën shpifje. Me këtë rast, i ftojmë të mos koketojnë për të marrë funksione dhe kolltukë, por të zbatojnë ligjin për çka dhe paguhen nga paratë e qytetarëve”.

“Është koha e fundit që përgjegjësia të individualizohet. Nuk munden gjykatat, për shkak të një numri të caktuar të gjykatësve të papërgjegjshëm, të rrënojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Jemi këtu që të thërrasim gjykatat të zbatojnë ligjin dhe të mos pranojnë presione politike, sepse këtë ua garanton Kushtetuta”
, tha Selmani.

Ai theksoi se është koha e fundit që përgjegjësia për problemet e shumta në gjyqësi të individualizohet.

Selmani sqaroi se protesta nuk është kundër Qeverisë, apo bisedimeve të ndërprera mes saj dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, por për të kërkuar që gjykatësit të bëjnë punën, për të cilën janë zgjedhur dhe për të cilën paguhen.

Gazetarët, gjithashtu, theksuan se me këto protesta dëshirojnë që në formë publike të shprehin sjelljen e disa gjyqtarëve, të cilët në vend se ta ndryshojnë praktikën e deritashme, ata gjithnjë e më shumë ashpërsojnë qasjen ndaj gazetarëve kur vendosin për lëndët gjyqësore për fyerje dhe shpifje , duke marrë vendime edhe pa prezencën e vetë gazetarëve.

Iskra Opcevska tha se është dërguar në seancë gjyqësore me përcjellje të policisë, edhe pse paraprakisht, siç tregoi ajo, nuk kishte marrë kurrfarë ftese.

“Në gjykatë u sollëm me përcjellje policore, ndërkohë që paraprakisht nuk kishim marrë asnjë ftesë nga gjykata për sa i përket procesit gjyqësor ndaj meje për veprën shpifje, edhe pse unë personalisht rregullisht jam paraqitur në gjyq kur kisha në dorë ftesën e rregullt”, tregoi gazetarja Opcevska, duke nënvizuar se drejtësia në vend aplikohet në mënyrë selektive.

Ndryshe, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë pas bllokimit të bisedimeve me Qeverinë para dy muaj e gjysmë, kërkoi zgjidhje adekuate për dekriminalizimin, duke propozuar si model praktikat gjyqësore të Strasburgut.

Ndërkaq, duke komentuar dialogun e bllokuar mes SHGM-së dhe Qeverisë. komunikologia maqedonase, Vesna Shopar, tha se është më se e qartë se pushteti aktual nuk është i interesuar për të krijuar klimë të mirëfilltë mediatike.

“Thjesht, është më se e qartë se pushteti dëshiron që të përfitojë kohë para raportit të ardhshëm të progresit, të vjeshtës së KE-së, se, ja po punohet diçka, e në fakt asgjë konkrete nuk është duke realizuar në drejtim të përmirësimit të klimës mediatike në Maqedoni”, theksoi Vesna Shopar, eksperte e shkencave të komunikimit.

Zgjidhja e çështjes së lirisë së mediave është kriteri i parë i apostrofuar në detyrimet e përcaktuara nga Brukseli për Maqedoninë në kuadër të dialogut paraqasës.

Në udhërrëfyes është theksuar se Qeveria deri më 30 qershor duhet të realizojë takim mes grupeve punuese të gazetarëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë për të harmonizuar qëndrimet rreth dekriminalizimit të shpifjes.

Në të shumtën e rasteve, gazetarët e vendit dënohen për veprën shpifje, ndërsa nuk ekziston dënim maksimal për këtë akoma “vepër penale” , gjë që bën shumë gazetarë të vetë-censurohen për të mos qenë viktima të këtyre proceseve.

Çdo vit në Maqedoni ngrihen mbi 300 padi ndaj gazetarëve, ndërsa shuma rekorde për dënim për shpifje ndaj gazetarëve, arrin plot 32 mijë euro.
XS
SM
MD
LG