Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Demokracia e zhvillimi shkojnë krah për krahu


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga merr pjesë në në konferencën “Frontiers in Development”

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga merr pjesë në në konferencën “Frontiers in Development”

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fjalimin e mbajtur në konferencën “Frontiers in Development”, në temën “Kufijtë në zhvillim” ka sjellë në kujtesë luftën në Kosovë, që sipas saj, nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë, por, “që ngjau për shkak të një diktatori i cili kishte fuqinë për të mbjellur farat e mosbesimit dhe për të krijuar frikë”.

“Na ka mbetur ne të rindërtojmë, të zhvillohemi, të kujtojmë, dhe të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës. Ky është misioni im, i lindur nga tragjedia e konfliktit të fundit të shekullit të njëzetë, i frymëzuar nga shpresa që lindi ne këtë shekull dhe e mbështetur nga shpirti njerëzor që jeton brenda nesh”, ka thënë para të pranishmëve Jahjaga.

Por, për të pasur sukes, ky mision, ajo ka thënë se është i nevojshëm ndërtimi i demokracive në rajon.

Në këtë kontekst, ajo ka kujtuar se procesi i demokratizimit në Kosovë ka kaluar nëpër sfida të mëdha dhe se kosovarët kanë punuar me vendosmëri për ta arritur atë.

“Me të njëjtën vendosmëri po përpiqemi që t’i tejkalojmë dallimet dhe të rivendosim besimin e tronditur që ende ekziston në sfond si pasojë e trashëgimisë së luftës, sidomos në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka theksuar se demokracia dhe zhvillimi shkojnë krah për krahu.

“Zhvillimi nuk ndodh nëse njerëzve nuk iu dëgjohet zëri për mënyrën se si vendoset të zgjidhen çështjet e tyre. Dhe demokracia nuk mund të lëshojë rrënjë nëse nevojat themelore të njerëzve nuk përmbushen”, ka thënë Jahjaga, duke cituar pastaj dhe Madeline Albrightin se "Njerëzit duan bukë për të ngrënë dhe pjesëmarrje në mënyrën se si qeverisen".

Zhvillimi i vetë Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, që i dha fund shtypjes, ishte i shkëlqyeshëm, ka thënë Jahjaga, por ndonjëherë, sipas saj, ishte edhe i ngadalshëm.

“Periudha e jashtëzakonshme pas luftës në Kosovë ka zgjatur më shumë se sa pritej dhe kjo ka ngadalësuar zhvillimin e vendit në shumë fusha, duke e bërë atë më të varur nga ndihmat e jashtme se sa që ishte parashikuar. Kjo varësi ekonomike dhe politike ndonjëherë ka ngadalësuar procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe konsolidimin e klasës politike të vendit”, ka thënë ndër të tjera Jahjaga.

“Zhvillimi i Kosovës, megjithatë, është një histori e përbashkët suksesi edhe pse angazhimi dhe roli i forcave vendase duhej të ketë qenë më i fuqishëm dhe më i drejtpërdrejt në të gjitha fazat e konsolidimit të Kosovës”, është shprehur Jahjaga.
XS
SM
MD
LG