Ndërlidhjet

Times: Fantazmat e Ballkanit


Pamje nga Homsi në Siri...
Pamje nga Homsi në Siri...
"Times"



Asnjë luftë nuk është si tjetra, çdo viktimë është e veçantë. Por ndonjëherë duket se historia, siç e ka thënë Volteri, nuk është asgjë tjetër, pos një tablo e krimit dhe fatkeqësive.

Uilliam Hejg, sekretari i Jashtëm britanik, e ka krahasuar sulmin e presidentit Asad ndaj popullit të Sirisë me luftën e Bosnjës së viteve 1992-95. Analogjia historike është me vend.

Barbarizmi i sulmeve ndaj civilëve sirianë gjithnjë e më shumë i ngjan krimeve të kryera nga serbët e Bosnjes. Edhe kostoja e mosndërhyrjes është fatkeqësisht e njohur.

Forcat e Asadit, në kërkim të shkatërrimit të opozitës, shohin një mundësi për t’i bërë të pakthyeshme fitimet e tyre.

Prandaj, mosndërhyrja mund ta fusë Sirinë në një tmerr akoma më të madh.

Zoti Hejg me të drejtë deklaron se asgjë nuk duhet të përjashtohet për të parandaluar kolapsin apo luftën sektare civile. Mënyra më efektive për ta ndaluar Asadin nga vrasjet mund të jetë, ajo duke, ia bërë të qartë se do të përballet me kundërshtimin e vendosur ndërkombëtar, dhe se ekziston opsioni i forcës.

Forcat Asadit janë duke vazhduar të sulmojnë opozitën me artileri, mortaja e raketa.

Në ditët e fundit ata kanë sulmuar Homsin dhe qytetet e Kusairit, Talbisehit dhe Rastanit në qendër të Sirisë, dhe kanë shtuar sulmet kundër zonave të kryengritësve në Damask.

Numri i të vdekurve rritet çdo ditë: më shumë se 14 mijë sirianë kanë vdekur që nga shpërthimi i protestave kundër sundimit të Asadit, 15 muaj më parë.

Qeveritë perëndimore duhet të pranojnë se përpjekjet qëllimmira për ndërmjetësim nuk kanë funksionuar.

Kofi Anan, ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, propozoi një plan gjashtë-pikësh në muajin shkurt. Ai parashihte që OKB-ja të mbikëqyrë përfundimin e luftimeve dhe të siguronte mbrojtjen e civilëve.

Problemi nuk është vetëm aty se plani nuk është zbatuar, por, Asad e ka përdorur planin si një mbulesë, pas të cilës ai mund të vazhdojë me sulmet në qytete dhe fshatra.
Ky, tragjikisht, ishte model i luftës së Bosnjës.

Nuk kishte asnjë mungesë të planeve të paqes të hartuara nga diplomatët e shquar nën mbikëqyrjen e komunitetit evropian dhe OKB-së. Të gjitha dështuan. Në fazën e hershme, diplomacia perëndimore e trajtonte luftën e Bosnjës si një shpërthim i urrejtjeve të lashta dhe të vështira etnike. Dhe ky ishte një interpretim i gabuar.

Vrasjet janë kryer nga të gjitha anët në Bosnje, por përgjegjësia më e madhe për gjakderdhjen bie mbi Sllobodan Millosheviqin. Vizioni i tij keqdashës për një Serbi të Madhe, etnikisht të pastër çoi në shpërbërjen e federatës jugosllave. Plani u vu në zbatim nga një fushatë e dëbimit masiv, torturave, përdhunimit, vrasjes dhe gjenocidit ndaj myslimanëve të Bosnjës.

Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mlladiqi, autorët e asaj dhune, tani janë në gjyq për krime lufte në Hagë. Megjithatë, në atë kohë, ata, me Millosheviqin, janë trajtuar si partnerë me të cilët negociohej dhe mund të arrihej një marrëveshje.

Një embargo e armëve e OKB-së kishte efektin pervers të stërzgjatjes së luftës duke shkaktuar një çekuilibër të forcave. Qeveria e Bosnjes nuk kishte mundësi efektive të vetë-mbrojtjes kundër artilerisë së rëndë të forcave serbe. Ajo që përfundimisht detyroi në arritjen e paqes ishte ndërhyjra ajrore e NATO-s pas gjenocidit të 8 mijë myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Gjakderdhja në Siri është intensifikuar pasi zoti Assad ka zgjedhur atë kurs. Përpjekjet për të negociuar me të kanë rezultuar të kota. Që të jetë e qëndrueshme dhe paqësore, Siria duhet të përparojë më shpejt drejt një epokë post-Asadiane.

Kërcënimi i besueshëm i ndërhyrjes ushtarake mund të jetë i nevojshëm për ta arritur këtë.

Presioni për largimin e Asadit nuk është një thirrje e pa kufi për ndryshimin e regjimit: ky është një insistim i thjesht humanitar, se vrasjet duhet të ndalen. Sirianët duan të jenë të aftë për ta mbrojtur veten.

Duke iu ofruar atyre armë të rënda, duke krijuar strehë të sigurt në kufi dhe duke e izoluar regjimin e Asadit, qeveritë perëndimore mund të parandalojnë përshkallëzimin e një konflikti brutal në diçka shumë më të keqe.(a.i.)
XS
SM
MD
LG