Ndërlidhjet

Rrugëtimi 13 vjeçar i Kosovës me Perëndimin


Flamujt e Kosovës

Flamujt e Kosovës


Çlirimi dhe më pas pavarësia e Kosovës kanë siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon, vlerësojnë udhëheqësit më të larë të institucioneve të Kosovës.

Të arriturat, por edhe ngecjet në Kosovë, 13 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, konsiderohen si të rezultate të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në deklaratën e saj thotë se “çlirimi dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave që vepruan dhe u sakrifikuan për këto ideale”.

Kurse kryeministri Hashim Thaçi në 13 vjetorin e çlirimit, tha se për Kosovën ka edhe një lajm tjetër të mirë, ngase kanë mbetur edhe tri javë deri në përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Më datën, 2 korrik, Thaçi tha se në Vjenë do të mblidhet Grupi Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Kanë mbetur më pak se tri javë deri në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar më 2 korrik. Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha obligimet karshi këtij procesi. Presim që edhe Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha komisionet parlamentare t’i kryejnë obligimet e veta”.

Prandaj, mund t’iu them se është një proces që po përmbyllet me sukses të plotë me meritën dhe angazhimin e gjithë spektrit politik të Kosovës, shoqërisë civile dhe mekanizmave mbështetës”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Data 12 qershor “shënon ditën e rreshtimit të botës demokratike perëndimore me popullin e shtypur të Kosovës si dhe paraqet datën që shënon fundin e një tragjedie me përmasa të mëdha”, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni.

Ndërkaq, në Kosovën e lirë e më pas edhe të pavarur, kishte arritje, sfida por edhe ngecja, thotë Hyseni.

E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e mirë, e integruar edhe në BE edhe në NATO. Por, për t’i arritur këto objektiva të mëdha nacionale duhet punë e jashtëzakonshme për të riparuar dëmet që shkaktohen kohë pas kohe nga politikat qoftë të menduara keq apo të pa menduara fare. Assesi nuk guxojmë të lejojmë që Kosova të shkoj në drejtim ët shteteve të dështuara”, thotë Hyseni.

Një nga sfidat më të mëdha në Kosovën e pasluftës ishte dhe mbetet veriu i saj.

Atje, strukturat paralele serbe, që mbështeten edhe nga Beogradi, nuk kanë lejuar shtrirjen e autoritetit të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se pavarësisht gjendjes së tensionuar në veri, tash e 13 vjet që kur është çliruar Kosova, Ballkani kurrë nuk ka qenë më paqësor e më stabil.

Pjesa veriore ka qenë e sfiduar për këto 13 vjet me radhë dhe është e sfiduar edhe sot e kësaj dite, por Kosova është një vend ku dominon paqja e siguria dhe ka reflektuar stabilitet në tërë rajonin. Asnjëherë në historinë e vet Ballkani nuk ka qenë më i qetë sesa prej kohës së pavarësisë dhe lirisë së Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Pas fushatës ajrore prej 78 ditëve, para 13 vjetësh, trupat e NATO-s zbarkuan në Kosovë.

Ndërhyrja u pasua edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë.

Andaj, kjo ditë kur NATO zbarkoi në Kosovë kurse forcat serbe u larguan, me Kushtetutë njihet edhe si Dita e Paqes apo Dita e Çlirimit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG