Ndërlidhjet

logo-print

Krimi dhe korrupsioni ngadalësojnë liberalizimin


Pasaporta e Kosovës

Pasaporta e Kosovës

Pak ditë para marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se pa luftimin e krimi të organizuar dhe korrupsionit, Kosova vështirë se mund të arrijë synimet e saj drejt BE-së.

Ministrja e Integrimit në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, deri sa ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrim rreth punës në drejtim të liberalizmit të vizave dhe marrjes së udhërrëfyesit, theksoi se Kosova para vetes ka shumë sfida në drejtim të liberalizmit dhe integrimit.

Qeveria nuk mund të luaj as rolin e prokurorit, as rolin e gjyqtarit, as rolin e policit, e as të deputeti. Secili i ka detyrat e ndara, secili e ka hisen e vet të punës dhe obligimeve. Në Evropë do të hymë atëherë kur secili prej nesh, edhe qeveria, edhe parlamenti, edhe institucionet e tjera të pavarura, të përmbushin në përpikëri detyrimet dhe obligimet e tyre”, theksoi Çitaku.

Ajo tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten sfidat kryesore drejt BE-së.

Ajo që kërkohet edhe nga ana e Komisionit Evropian, por që është edhe kërkesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, është që organet e rendit dhe ligjit të bëjnë edhe me shumë në luftimin e këtyre fenomeneve negative”.

Ajo çka e dallon Kosovën në ketë kontest është prania e EULEX-it në Kosovë, që unë e konsideroj një vlerë të shtuar, sepse kemi një mekanizëm shtesë i cili është garant i sundimit të rendit dhe ligjit në vend, dhe luftimit të fenomeneve negative”, tha ajo.

Kurse, anëtari i komisionit parlamentar për integrime evropiane nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri, ka kritikuar ekzekutivin e vendit dhe institucionet e tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit.

Siç tha ai, në këtë drejtim nuk është duke u bërë sa duhet.

Konsideroj se gatishmëria për të luftuar krimin dhe korrupsionin, absolutisht nuk ekziston. Edhe nëse një rast ose dy janë duke u gjykuar ose janë gjykuar, nuk do të thotë se këtu ka gatishmëri, sepse është e kundërta”, deklaroi Beqiri.

Ministrja Çitaku të mërkurën do të udhëtojë për në Bruksel, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, me kryetarin e komisionit parlamentar për integrime evropiane, Lutfi Haziri dhe me katër kryetarë të komunave, atë të Istogut, Pejës, Graçanicës dhe Gjilanit.

Të enjten do të merret udhërrëfyesi. Çitaku tha se marrja e këtij dokumenti është rezultat i punës dhe konsensusit politik në vend.

Është e rëndësishme të theksohet se udhërrëfyesi i cili do t’i jepet Kosovës do të jetë identik me atë të Ballkanit Perëndimor. Pra, metodologjia është identike, do të jetë udhërrëfyes njëfazor, ndërkohë që pashmangshëm numri i kritereve dhe detyrave të shtëpisë që do t’i imponohen Kosovës do të jetë më i madh”, bëri të ditur Çitaku.

Së fundi, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, ka shfaqur shpresën që në vjeshtën e këtij viti të Kosova të jetë në gjendje ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në, por theksoi se i takon palës kosovare t’i zbatojë reformat e kërkuara në sundimin e ligjit, procesin e demokratizimit, atë të reformave ekonomike dhe të tjera.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG