Ndërlidhjet

Anashkalimi nga liderët e veriut apo Beogradi?!


Liderët e serbëve të veriut të Kosovës po bëjnë çmos që të favorizojnë interesat e tyre, madje duke anashkaluar tërësisht serbët të cilët jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës Qendrore.

Sipas tyre, shembulli i fundit që ilustron këtë është edhe takimi, disa ditë më parë, të cilin e ka zhvilluar kryetari i sapozgjedhur serb Tomisllav Nikolliq me liderët e serbëve të veriut të Kosovës, me kërkesën e këtyre të fundit, të cilët, siç thonë ata, nuk u kanë bërë ftesë edhe liderëve serbë të Kosovës Qendrore që t’iu bashkohen në këtë takim.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, njëherësh edhe deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, thotë se nisma për takimin ka nisur nga liderët e serbëve të veriut.

Sipas saj, ata kanë qëllime relevante, të ndikojnë për të krijuar distancën ndërmjet kabinetit të kryetarit të Serbisë dhe kabinetit të kryeministrit të Serbisë, në mënyrë që ata vet të mund të funksionojnë mbi bazën e këtyre përplasjeve të mundshme.

Ne nuk kemi kërkuar takimin. Kemi llogaritur që në takimin e parë ata vet do t’i thërrasin edhe liderët serb të veriut e edhe të jugut. Veriorët menjëherë pas largimit të barrikadave nga ana e KFOR-it, ndërmorën nismën dhe kërkesa e tyre ka qenë urgjente”.

Ata mbase kanë pritur mbështetjen për vendosjen e barrikadave të reja ose kush e di se çfarë. Sidoqoftë, ne nuk u paraqitëm së bashku në atë takim dhe ko për mua paraqet esencën e moszgjidhjes së problemit serioz, sepse zgjidhja e problemit të serbëve në mënyrë unike është zgjidhje e vetme dhe e duhur”, thotë Trajkoviq.

Por, politikani serb nga Kosova Qendrore, Rangjell Nojkiq, vlerëson se takimin i kryetarit serb Nikolliq me liderët serbë të veriut të Kosovës, ka qenë i imponuar nga këta të fundit.

Por, megjithatë sipas tij, Nikolliq tashmë ka paralajmëruar se ekipi serb për bisedime me Prishtinën do të përforcohet me serbët e Kosovës, duke përfshirë liderët serbë, qoftë nga veriu, qoftë nga Kosova Qendrore.

Nëse kryetari Nikolliq i përmbahet deklaratës së tij, unë pres që, në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo të drejtpërdrejt, të bisedojë edhe me serbët e Kosovës Qendrore”.

Gjithashtu, unë konsideroj se kjo është mënyra për të amortizuar kërkesat ekstreme të serbëve të veriut dhe praktikisht kërkesat e serbëve të Kosovës të jenë të përbashkëta. Në këtë mënyrë është e mundur që të gjenden zgjidhjet optimale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thekson Nojkiq.

Deklarata e kryetarit serb Nikolliq është mirëpritur edhe nga Trajkoviq, e cila i ka quajtur ato shpresëdhënëse.

Është shpresëdhënëse se do të mund të paraqitemi së bashku, ndonëse të gjitha tentimet e deritashme që të paraqitemi të bashkuar diku, kanë hasur në rezistencë të madhe nga ana e liderëve të veriut”.

Kjo ka ndodhur për shkak se ata mendojnë se janë ata të cilët do të zgjedhin ekipin me të cilin do të bisedohet, sepse pjesën më të madhe të serbëve, që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, i etiketojnë si tradhtarë dhe i nënçmojnë ata. Në këtë mënyrë ata japin kualifikime të cilat janë tragjike për serbët dhe për të gjithë ne”, shprehet Trajkoviq.

Ndryshe, Nojkiq, ka theksuar se në qoftë se kryetari serb Nikoliq nuk do të takohet edhe me liderët e serbëve të Kosovës Qendrore, si dhe nëse nuk u përmbahet deklaratave lidhur me ekipin e bisedimeve, atëherë, sipas tij, do të jetë e dukshme dhe e kuptueshme se Serbia ka hequr dorë nga serbët që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG