Ndërlidhjet

logo-print

Roçen: Ambasada në Kosovë – edhe pa nënshkrimin e presidentit


Millan Roçen

Millan Roçen

Ministri i jashtëm, Millan Roçen, tha sot se qeveria e Malit të Zi, mund ta hapë ambasadën në Kosovë, në nivel të të ngarkuarit me punë, edhe pa akreditimin, të cilin duhet ta nënshkruaj presidenti, Filip Vujanoviq.

Megjithatë, zoti Roçen, para gazetarëve në Podgoricë, ka shfaqur shpresën se “kjo nuk do të ndodhë”.

Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, para do kohe ka thënë se nuk do ta nënshkruaj dekretin për vendosjen e ambasadorit në Kosovë, e as që do ta pranoj akreditimin e ambasadorit të Kosovës në Podgoricë, derisa në Kosovë nuk njihet pakica kombëtare malazeze.

“Nuk do ta quaja këtë kundërshtim ndaj hapjes së ambasadës”, tha Roçen dhe shtoi se “presidenti Vujanoviq vetëm e ka theksuar atë që është në kompetencë të tij”.

Millan Roçen mendon se me miratimin e ligjit, me të cilin parashihen ndryshime në Kushtetutën e Kosovës dhe njohja e statusit të bashkësisë kombëtare malazeze në Kosovë, është “krijuar parakushti” në të cilin “insiston” zoti Vujanoviq.

Qeveria e Malit të Zi, para do kohe, ka vendosur që ta hapë ambasadën në Prishtinë, kështu që Roçen vlerësoi se për realizimin e një vendimi të tillë nuk është e nevojshme që presidenti “ta nënshkruaj akreditimin, pasi përfaqësia diplomatike mund të hapet në nivelin e të ngarkuarit me punë”.
XS
SM
MD
LG