Ndërlidhjet

logo-print

Euro 2012: Përplasje tifozësh

  • RFE /RL



Para takimit ndërmjet Rusisë dhe Polonisë në Kampionatin Evropian të Futbollit, policia e Varshavës ka përdorur topat e ujit dhe gazin lotsjellës për të qetësuar përleshjet ndërmjet tifozëve rusë dhe polakë.

Në atë që duket të ketë qenë incidenti më i dhunshëm në Euro 2012, huliganët polakë janë parë duke sulmuar rusët, të cilët marshonin drejt stadiumit kombëtar, për të shënuar Ditën e Rusisë.

Disa njerëz janë plagosur, ndërsa njëri nga ta raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Të paktën tre tifozë janë arrestuar, por nuk është e qartë se cilës palë i përkasin.

Tifozët rusë thuhet të jenë përleshur ndarazi me policinë edhe në një urë pranë stadiumit.

“Incidentet i kanë provokuar edhe polakët, edhe rusët. Huliganët polakë kanë bërë përpjekje të sulmojnë marshin e tifozëve rusë. Policia ndërhyn ku duhet”, ka thënë për mediat lokale zëdhënësi i policisë në Varshavë, Maqej Karçinjski.

Polonia dhe Rusia ndajnë një histori të trazuar, e cila përfshin luftëra kundër njëra-tjetrës dhe okupime të ndërsjella të territoreve.

Shumë polakë mendojnë se autoritetet nuk është dashur të lejojnë rusët të marshojnë për nder të festës së tyre kombëtare.

Kampionati Evropian i Futbollit sivjet zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Ai ka nisur më 8 qershor dhe do të përfundojë me 1 korrik. (v.t.)
XS
SM
MD
LG