Ndërlidhjet

Olimpiada 2012: Atletët myslimanë në dilemë


Foto nga arikivi

Foto nga arikivi

Të hash apo të mos hash? Kjo do të jetë dilema për rreth 3,000 atletë myslimanë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Verore “Londra 2012”.

Të 17 ditët e garës, nga 27 korriku deri më 12 gusht, bien brenda Muajit të Shenjtë të Ramazanit – kohë kjo kur myslimanët janë të detyruar të agjërojnë dhe të përmbahen nga pirja e ujit që nga lindja e Diellit deri në perëndim të tij.

Por, obligimi është më i butë për myslimanët që udhëtojnë, të cilët mund të shtyjnë agjërimin. Disa dijetarë islamikë thonë se atletët që do të marrin pjesë në Olimpiadën e Londrës, duhet të përfitojnë nga ky përjashtim.

Për sportistin afgan, Nesar Ahmad Bahavi, Olimpiada është çështje shumë e rëndësishme. Ai ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Tekuandosë më 2007 dhe ka ambicie për të tjera fitore.

Kemi një garë shumë të rëndësishme. Është ëndërr e secilit atlet të fitojë një medalje olimpike. Dhe, për këtë arsye, ne nuk mund të marrim pjesë në agjërim, por do ta kompensojmë më vonë duke respektuar numrin e njëjtë të ditëve që nuk agjërojmë gjatë Ramazanit. Ne ushtrojmë në baza ditore dhe gjatë ditëve të garës është e pamundur të agjërojmë, sepse, të paktën, është e domosdoshme të pimë ujë”, thotë Bahavi.

Komitetet olimpike në vendet konservatore islamike, si Arabia Saudite ose Irani, mund të kërkojnë nga atletët që të respektojnë Muajin e Ramazanit. Shtyrja e agjërimit nuk pëlqehet në të gjitha kulturat myslimane, ndonëse njohësi i islamizmit, Sidikullah Fedaji, thotë se Kurani e parasheh një gjë të tillë.

Nëse je i sëmurë apo udhëtar, shtyje agjërimin për më vonë”, citon Fedahi suren al-Baqarah të Librit të Shenjtë.

Ai thotë se Kurani lejon po ashtu myslimanët që nuk udhëtojnë, të vendosin vetë për agjërimin.

Nëse një person ka probleme shëndetësore, ose nëse agjërimi dëmton jetën e tij, ose për arsye të tjera duhet të hajë, atëherë myslimani duhet të vendosë vetë se çfarë është prioritet për të”, thotë Fedaji.

Vrapuesi 20-vjeçar nga Gaza, Baha al-Fara, thotë se ka marrë leje nga një dijetar islamik për të ndërprerë agjërimin gjatë stërvitjeve dhe garës, për ta kompensuar atë më vonë.

Ekspertët mjekësorë thonë se agjërimi mund të dëmtojë performancat, veçanërisht në sportet që kërkojnë forcën e muskujve dhe rezistencën.

Një studim i vitit 2007 të dy ekipeve algjeriane të futbollit ka treguar se shpejtësia dhe shkathtësia e tyre kanë rënë ndjeshëm gjatë agjërimit të Ramazanit.

Kreu i grupit punues të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Ronald Maughen, kujton se asnjë vend nuk ka paraqitur ankesë kur është bërë publik orari i Lojërave në Londër, gati një dekadë më parë.

Natyrisht, kjo është një çështje e rëndësishme dhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik do që asnjë atlet të mos dëmtohet. Datat e Lojërave janë zgjedhur nga komiteti organizator i Londrës. Në atë kohë janë dhënë edhe mundësitë për kundërshtime, por nuk ka pasur”, thotë Maughen.

Sido që të jetë, Londra thuhet të ketë ndërmarrë hapa specialë për të akomoduar atletët myslimanë, që kanë zgjedhur të agjërojnë, duke siguruar për ta racione të posaçme të ushqimit, në përputhje me rregullat e agjërimit.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG