Ndërlidhjet

Jahjaga u takua me senatoren Shahin dhe shefen e FMN-së


Senatorja Shahin në takimin me presidenten Jahjaga
Senatorja Shahin në takimin me presidenten Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Uashington, është takuar me senatoren, Xhin Shahin, me ç’rast është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Zonja Jahjaga theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol të madh në çlirimin e Kosovës dhe në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të saj, njofton presidenca e Kosovës.

Mëtutje, presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova është shtet i pavarur me integritet të garantuar territorial dhe shtet i qytetarëve të barabartë, pa dallim etnie, që me sukses po e përfundon fazën e mbikëqyrjers së pavarësisë.

Ajo ka vlerësuar se prania e NATO-s është e nevojshme edhe mëtutje, për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe se kjo, sipas saj, ndikon edhe në gjendjen në tri komunat në veriun e Kosovës, ku strukturat ilegale dhe kriminale, të përkrahura nga Serbia, po i sfidojnë të arriturat dhe institucionet e Kosovës, duke e mbajtur peng popullatën lokale serbe.

Xhin Shahin, kryesuese e nënkomitetit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Evropë, i ka dhënë mbështetje zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës, rrugës së integrimeve evroatlantike dhe zhvillimit të proceseve demokratike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Uashington, është takuar edhe me shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagardë. Me këtë rast Jahjaga theksoi se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në, njoftoi presidenca e Kosovës.

Zonja Lagardë tha se Kosova, në aspektin teknik, është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe se ka traguar disiplinë institucionale.

Ajo theksoi se FMN-ja do t’i vazhdoj ndihmat për Kosovën.
XS
SM
MD
LG