Ndërlidhjet

Liderët e veriut: Stefanoviqi e ka pranuar Kosovën si shtet


Veri...
Veri...
Liderët e serbëve të veriut të Kosovës kanë reaguar ndaj akuzave të cilat Borko Stefanoviq, shef i deritashëm i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, i ka bërë në adresë të këtyre liderëve.

Stefanoviq, duke komentuar lidhur me kritikat që liderët opozitarë dhe ata të veriut të Kosovës i kanë bërë procesit të dialogut të Serbisë me Kosovën, dhe marrëveshjeve të arritura, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “ata që mendojnë se ky është proces në të cilin Serbia mund të fitojmë zgjidhjet, cilat i ka pasur deri në vitin 1999, mashtrohen shumë”.

Ai ka theksuar se i vjen keq që “në Kosovë ka disa serbë që mendojnë se është e mundur që gjithçka të kthehet në vitin 1996 ose 1997”.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut, i ka hedhur poshtë pohimet e Stefanoviqit, duke thënë se serbët në veri janë të vetëdijshëm që gjërat nuk mund të kthehen sikurse kanë qenë në fundin e viteve të 90-a.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
E dimë të gjithë se gjendja nuk mund të kthehet sikur në vitin 1999. E dimë se ka pasur bombardime, dhe se këtu tashmë janë trupat e KFOR-it. E dimë se këtu është një gjendje tjetër dhe se 200 mijë i kanë braktisur këto hapësira”.

Është e sigurt se ne një pjesë të madhe të gjithë kësaj nuk mund ta kthejmë prapa. Thjeshtë, sot nuk guxojmë dhe nuk duhet të bëjmë çfarëdo qoftë që e rëndon pozitën e serbëve. Por, natyrisht, nuk guxojmë as që me veprime të heshtura ta pranojmë shtetin e Kosovës. Ndërkaq, mu këtë e ka bërë Borko Stefanoviq”, shprehet Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Ndaj akuzave të Stefanoviqit, ka reaguar edhe Millan Ivanoviq, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb.

Ai thotë se serbët në veri janë të vetëdijshëm se nuk mund ta kthejnë situatën sikurse ka qenë në fund të viteve 90.

Sipas tij, pohimet e Stefanoviqit se në veri “institucionet, infrastruktura dhe shërbimet komunale, janë krejtësisht të shkatërruara”, nuk qëndrojnë.

Është e sigurt se koha nuk mund të kthehet prapa. Por, në veri të Kosovës ekzistojnë institucione përgjegjëse të shtetit të Serbisë. Ekzistojnë institucione të vetëqeverisjes lokale, institucione të sistemit shëndetësor, të arsimit dhe shumë të tjera”.

Këto institucione nuk janë ish-institucione, të shkatërruara dhe që nuk funksionojnë. Por, ato janë institucione që janë në funksion të plotë dhe të cilat janë kusht për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, thekson Ivanoviq, duke shtuar se deklaratat e Stefanoviqit janë të pabaza, jo legjitime dhe pa domethënie.

Ndryshe, Stefanoviq, ka deklaruar se liderët serbë të veriut po e fshehin nga opinioni situatën reale të krijuar në veri të Kosovës, sepse, siç ka thënë ai “pozitat e tyre, pozitat që privilegjojnë dhe pozitat në krim, dëshirojnë t’i ruajnë me çdo kusht të mundshëm”.

Stefanoviq, i quan përgjegjës liderët e veriut, për situatën e krijuar në atë pjesë të Kosovës.

Në anën tjetër, liderët serbë të veriut e kanë akuzuar Stefanoviqin për, siç kanë thënë ata, “tradhti kombëtare”, duke thënë gjithashtu se deklaratat e tij janë produkt i një sjelljeje të paskrupullt.

Jakshiq, thotë se për gjendjen në veri nuk mund të akuzohen liderët serbë të kësaj pjese të vendit, por vet Qeveria e deritashme e Serbisë.

Gjatë kësaj kohe, të paktën këto katër vjetët e fundit, pushtetin në Beograd e ka mbajtur partia politike e Borko Stefanoviqit, e cila është përgjegjëse për infrastrukturën, për zbatimin e ligjit dhe për të gjitha veprimet e mundshme të ndershme dhe të pandershme”.

Nuk mund të prisni që kushdo qoftë nga opozita, thjeshtë, të bëjë punët rreth infrastrukturës, të dënojë kriminelët dhe gjëra të tilla të ngjashme”, shprehet Jakshiq.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq
Ndërkaq, Ivanoviq, thotë se Stefanoviq, nuk ka asnjë bazë për akuzat të cilat ua drejton liderëve serbë të veriut të Kosovës.

Sipas tij, Stefanoviq po i imiton veprimet e, siç i quan ai, krerëve shqiptarë.

Nuk ka bazë për akuza të tilla. Diçka e tillë është tentim i vjetër i krerëve shqiptarë, që ta shfaqin veriun e Kosovës si mjedis kriminal. Tash, Stefanoviqi, po tenton që me këtë formë, si një jehonë e deklaratave të shqiptarëve dhe mentorëve të tyre, të baltosë serbët”.

Stefanoviq po sillet si një ‘tip’ në politikë dhe po tenton t’i akuzojë ata që po luftojnë për ruajtjen e Kosovës dhe të cilët me të drejtë e thonë se politika e tij ka qenë kundër-serbe dhe kundër- kushtetuese”, thotë Ivanoviq.

Sidoqoftë, të dy këta liderë serbë të veriut vlerësojnë se serbët në veri nuk do t’i pranojnë marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përderisa Gjykata Kushtetuese e Serbisë nuk i shpall ato si marrëveshje të vlefshme, që nuk e cenojnë Kushtetutën serbe.
XS
SM
MD
LG