Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 60 mijë fëmijë në vit vuajnë nga diarreja


Ilustrim

Ilustrim


Në Kosovë çdo vit regjistrohen rreth 60 mijë raste të fëmijëve me diarre. Këtë e bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Sipas zotit Ramadani, konsiderohet se numri i fëmijëve që preken nga diarreja është shumë i madh, dhe kërkon një trajtim të veçantë.

Situata epidemiologjike për sëmundje ngjitëse, në përgjithësi, është në nivelin e duhur. Por, numri i rasteve të paraqitura, sigurisht se nuk është i kënaqshëm, për shkak se vitin e kaluar kemi regjistruar mbi 62 mijë raste të barkqitjeve akute, derisa vitet paraprake kemi regjistruar rreth 60 mijë raste çdo vit, që për Kosovën, konsiderohet numër i madh dhe që kërkon një trajtim të veçantë”, thotë Ramadani.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se diarreja te fëmijët, trajtohet mirë dhe në mënyrë adekuate.

Shemsedin Dreshaj, drejtor i klinikës infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pohon se 25 vjetët e fundit, në klinikën infektive nuk ka pasur raste të vdekjes së fëmijëve nga diarreja.

Kjo, sipas tij, vjen si rezultat i punës së mirë.

Në klinikën infektive, 25 vjetët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të evidentuar, në moshë të fëmijëve, që ka pasur ecuri fatale, nga sindroma e diarresë akute. Kjo vjen si rrjedhojë e asaj se trajtohen ashtu siç duhen, si rezultat i punës së mirë”, thekson Dreshaj.

Ndërkaq, infektologët në vend shpjegojnë se diarreja kryesisht i prekë fëmijët e moshës 0 deri në 5 vjet.

Izet Sadiku, infektolog, shpjegon simptomat e kësaj sëmundjeje:

Diarreja është një sëmundje që është e përhapur në vendet e pazhvilluara, dhe zakonisht përhapet në sezonin e verës. Fëmijët zakonisht janë të prekur nga kjo sëmundje”.

Në Kosovë, nuk është rritur numri i fëmijëve të prekur, dhe në përgjithësi janë forma mesatarisht të rënda, por që ekziston terapia e lëngjeve që humbin gjatë diarresë, dhe ne i kemi këto barna”.

Zakonisht ka raste që shtrihen në klinikën infektive kohë pas kohe, dhe tash i kemi 2 deri 3 raste në klinikën tonë, por që numri i tyre pritet të shtohet në muajt korrik dhe gusht”, bën të ditur Sadiku.

Ndërkaq, Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, deklaron se jo vetëm sektori i shëndetësisë duhet të merret me këtë çështje, për të parandaluar përhapjen e virusit të diarresë.

Shëndetësia publike po e bën të pamundurën për parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke dhënë edukim shëndetësor për mbajtjen e pastërtisë - si asaj personale, po ashtu edhe kolektive”.

Pastaj, në rregullimin e infrastrukturës që ka të bëjë me higjienën, siç është kanalizimi dhe ujësjellësi. Por, degët tjera të qeverisjes duhet të jenë gjithmonë ato që i bashkëngjiten këtij aksioni”, thekson ai.

Derisa në Kosovë nuk janë shënuar raste të vdekjeve të fëmijëve nga diarreja gjatë 20 vjetëve të fundit, një raport i Fondit për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF), thotë se në botë, rreth 2 milion fëmijë vdesin nga pneumonia dhe diarreja, të cilat shpesh ndodhin në të njëjtën kohë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG