Ndërlidhjet

Lavrov në Iran - bisedime për programin bërthamor


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kriza mbi programin bërthamor të Iranit dhe konflikti në Siri pritet të dominojnë agjendën e bisedimeve ndërmjet ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe zyrtarëve iranianë.

Vizita e Lavrovit në Teheran vjen pak ditë para bisedimeve ndërmjet Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, që do të zhvillohen më 18 dhe 19 qershor në Moskë.

Para udhëtimit të Lavrovit, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se Irani duhet t’iu përgjigjet në mënyrë konstruktive propozimeve ndërkombëtare, të cilat synojnë të qetësojnë tensionet rreth çështjes bërthamore.

“Jam shumë e sigurt se ata janë nën presion të tmerrshëm nga rusët dhe kinezët, që të vijnë në Moskë të përgatitur për përgjigje. Nëse kjo përgjigje do të jetë mjaft e përshtatshme, mbetet të shihet”, ka thënë Klinton.

Rusia, megjithatë, ka refuzuar të mbështesë thirrjet e Perëndimit për sanksione të mëtejshme kundër Iranit.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA ka cituar ambasadorin rus në Teheran, Levan Jagarian, të ketë thënë se “çështja bërthamore është e komplikuar dhe e vështirë dhe nuk mund të zgjidhet për një periudhë të shkurtër kohore”.

Perëndimi druan se Irani ka për qëllim krijimin e armës bërthamore – pretendime këto që hidhen poshtë nga Republika Islamike.
XS
SM
MD
LG