Ndërlidhjet

Hoxhaj: Dialogu me Serbinë, gati i pamundur


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj - foto arkivi

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj - foto arkivi

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Prishtina do të gjykojë presidentin e ri të Serbisë në bazë të veprave të tij dhe jo fjalëve.

Në një deklaratë për javoren “European Voice”, Hoxhaj ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës dhe i ka bërë thirrje BE-së që të porosisë Serbinë për tërheqjen e “forcave policore dhe të sigurisë” nga veriu i Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se është gati e pamundur të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, derisa të mos zbatohen marrëveshjet kyçe.

“Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje muajt e kaluar, për të fituar pikë te Bashkimi Evropian”, ka thënë Hoxhaj, duke aluduar në vendimin e ministrave të BE-së për t’i dhënë shtetit serb kandidaturën evropiane.

“Por, pa zbatimin e atyre marrëveshjeve, nuk besoj se do të vijë deri te raundi i ri i bisedimeve në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj.

Ai i ka bërë thirrje BE-së të zhvillojë një “sistem të përshtatshëm” që do të monitoronte marrëveshjet dhe zbatimin e tyre.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar.

Në nëntë raunde diskutimesh nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.
XS
SM
MD
LG