Ndërlidhjet

Nishani: Besoj në marrëdhënie korrekte me opozitën, mazhorancën...


 Bujar Nishani

Bujar Nishani

“Unë besoj plotësisht në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte institucionale dhe bashkërenduese, midis institucionit të presidentit të Republikës me opozitën, me mazhorancën, dhe me institucionet tjera të pavarura dhe kushtetuese të vendit”, tha presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë, Bujar Nishani, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nishani, zgjedhja juaj erdhi në mënyrë kushtetuese, por megjithatë jo në formë konsensuale siç do të donte apo kërkonte opozita. Është një deklaratë e kryetarit të Partisë Socialiste ku thotë se një ministër nuk mund të bëhet president dhe e kundërta. Çfarë garancie do t’i jepni ju opozitës që do të jeni një president mbi palët?

BUJAR NISHANI
Unë i kam ndjekur me vëmendje deklaratat e zotit Rama, kryetar i partisë më të madhe opozitare, dhe i opozitës parlamentare, dhe kam konstatuar dy qëndrime: qëndrimin politik dhe qëndrimin institucional.

Midis këtyre kam dalluar një diferencë. Qëndrimi politik është i kuptueshëm për një forcë politike, qëndrimi institucional, i përcjellë përmes deklaratës që procesi ka qenë kushtetues, është shumë inkurajues për punën time. Por, besoj që për të gjithë qytetarët shqiptarë, unë nuk paragjykoj dhe nuk keqkuptoj asnjë qëndrim politik, ashtu siç vlerësoj të gjitha qëndrimet e kornizës institucionale që adresohen ndaj opinionit publik.

Kështu që, nuk e shoh ndonjë qëndrim shqetësues nga opozita dhe kryetari i saj në adresë të institucionit të presidentit të Republikës, të zgjedhur. Përkundrazi, unë besoj plotësisht në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte institucionale dhe bashkërenduese, midis institucionit të presidentit të Republikës me opozitën, me mazhorancën, dhe me institucionet tjera të pavarura dhe kushtetuese të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e konsideroni ju deklaratën e liderit të Partisë Socialiste, i cili ka thënë që zgjedhja e një përfaqësuesi të mazhorancës si president i Republikës, i rrezikon vendit statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian?

BUJAR NISHANI
Unë besoj që procesi për marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë, është një proces i cili do të bazohet tërësisht në meritën, në plotësim të atyre rekomandimeve, që vet Bashkimi Evropian ia ka adresuar Shqipërisë.

Rekomandime të identifikuara qartazi prej kohësh, rekomandime mbi të cilat tashmë ka një axhendë konkrete pune nga institucionet shqiptare, duke filluar nga Parlamenti në radhë të parë, ku opozita është pjesë e saj, dhe nga të gjitha institucionet e tjera. Ka një plan veprimi, i cili është rakorduar midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, dhe unë besoj që plotësimi i këtyre rekomandimeve është kushti mbi të cilin do të gjykohet dhe vlerësohet Shqipëria për të pasur meritën për ta marrë statusin e vendit kandidat.

Për sa i takon procesit të zgjedhjes së presidentit, ashtu siç është shprehur edhe në hetët e tjera, që ka qenë një proces tërësisht i bazuar në Kushtetutën e vendit, dhe unë besoj për sa kohë është kushtetues, është i ligjshëm, është transparent, është i pranuar në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti president, çfarë do të bëni ju për të nxitur tre kushtet që Bashkimi Evropian i ka vendosur Shqipërisë, si kushte për të marrë statusin e vendit kandidat? Politika ka mbetur ende për të mbyllur reformën parlamentare, atë zgjedhore, çështjen e imunitetit. Çfarë do të bëni ju brenda hapësirës që ju mundëson ligji, për ta nxitur politikën të shkojë drejt përmbushjes së tyre.

BUJAR NISHANI
Normalisht që ka prerogativa të drejtpërdrejta në në çështjet për sa i takon ushtrimit të tij në këtë çështje që ju përmendët. Janë tërësisht çështje që i takojnë Parlamentit dhe politikës në tërësi që përfaqësohet në Parlament.

Pa dyshim, unë do të mirëprisja dhe do të mbështesja çdo zhvillim pozitiv, dhe unë besoj plotësisht në zhvillimet pozitive në këtë fushë. Për sa kohë palët janë dakorduar në parimet kryesore, dhe është shumë e rëndësishme kur palët dakordohen për parimet kryesore, pavarësisht teknikliteteve që gjenden midis rreshtave në procesin e negocimit dhe diskutimit dhe të punës të komisioneve të përkohshme që palët ngrenë për të arritur në konkluzionin përfundimtar.

Duke pasur parasysh tashmë nivelin e përgjegjshmërisë që identifikohet midis palëve, unë besoj plotësisht që do të arrihet në konkludimin përfundimtar, pasi, siç e kemi parë të gjithë, puna kryesore në këto dy reforma është bërë, e kam fjalën për reformën zgjedhore, që është kryesisht edhe pjesa kryesore, por edhe në atë parlamentare dhe më tej, ku është rikonfirmuar politikisht nga palët që janë plotësisht për heqjen e imuniteteve dhe unë kam besimin që do të shoh një zgjidhje të shpejtë kushtetuese dhe ligjore për të gjitha çështjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nishani, si do t’i ndërtoni ju marrëdhëniet me mazhorancën? Ju vini nga mazhoranca, ishit pak kohë më parë ministër i Brendshëm, sot president i Republikës. Si do të shmangni ju paragjykimet që qytetarët dhe politikanët të mendojnë që zot Nishani është një president mbi palët?

BUJAR NISHANI
Është e vërtetë që vij nga një familje politike, siç është Partia Demokratike. Në mënyrë shumë të hapur dhe transparente ju deklaroj që jam krenar që i kam takuar një force të tillë politike, deri ditën që u zgjodha president, ashtu siç duhet të jetë krenar çdo anëtar i Partisë Socialiste, që i përket asaj force politike, siç duhet të jetë krenar çdo anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që i përket asaj force politike, siç duhet të jetë çdo shqiptar që nuk është i angazhuar në forca politike, për arsye se këto janë zgjedhje vullnetlirë, që secili prej nesh ka bërë, duke besuar në parimet që reflektojnë rreth këtyre forcave politike.

Por, ajo që ka të bëjë tash me personin tim, unë besoj thellësisht në përgjegjshmërinë, besoj thellësisht në integritetin, në përgjegjësinë e individit dhe timen personalisht, për të respektuar tërësisht Kushtetutën, germën dhe frymën e saj, dhe për të respektuar atë që qytetarët shqiptarë e kërkojnë, dhe, në fund të fundit, të gjitha forcat politike e kërkojnë. Unë garantoj që do të jem tërësisht jashtë palëve politike, tërësisht jashtë ndikimit mbi partitë politike, tërësisht i paangazhuar për t’u përdorur kundër një force apo një tjetre.

Besoj që kjo do të jetë një sfidë, e cila, siç e thash në fillim, do t’i tregojë rezultatet e saj më shpejtë se çdo sfidë tjetër. Jam plotësisht i qetë, për sa i takon gjykimit të pritshëm nga qytetarët shqiptarë dhe nga forcat politike, për sa i takon këtij aspekti, sepse objektivat e mija janë shumë të qarta. Procesi që unë kam përpara, rruga ime është shumë e qartë në gjykimin tim, në mendjen time dhe në objektivat e punës time.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nishani, a do të flisni ju si president edhe atëherë kur mendoni që mazhoranca e ka gabim?

BUJAR NISHANI
Pa dyshim, kjo nuk do të jetë aspak e vështirë, për sa kohë tërë përkushtimi im është përkushtim ndaj asaj çka vullneti i qytetarëve shqiptarë është materializuar në aktin më të rëndësishëm të shtetit shqiptar në Kushtetutën e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët ishin njerëzit që ju uruan të parët, nga përfaqësuesit politikë, përveç atyre të mazhorancës?

BUJAR NISHANI
Natyrisht që më kanë uruar, drejtuesit e mazhorancës në radhë të parë, kolegët e mij në Parlament, miq të mi, të afërm, shokë... por, për mua nuk ka qenë surprizë, por ka pasur një fluks urimesh edhe nga kolegët e opozitës në Parlament, që gjithsesi, identiteti i tyre mbetet pjesë e intimitetit personal të komunikimit, por ka pasur një numër të konsiderueshëm, për të cilët unë i vlerësoj dhe i falënderoj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG