Ndërlidhjet

logo-print
Borxhet e shumta që konsumatorët ia kanë Korporatës Energjetike të Kosovës nuk do të falen.

Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë, pas shpalljes së kompanisë së preferuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit më Energji Elektrike, e njohur në shkurtesën KEDS.

Qeveria e Kosovës ka shpallur konsorciumin turk “Limak&Çalik” fitues në tenderin për privatizimin e KEDS-it.

Ky konsorcium ka ofruar 26.3 milionë euro për kompaninë, ndërsa ka premtuar rreth 200 milionë euro investime për periudhën afatmesme.

Fëllanza Hoxha, menaxhere për zbatimin e projektit për privatizimin e distribucionit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se borxhet nuk falen, por do të menaxhohen nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Ajo shpjegon se në rast të problemeve eventuale, do të arrihet një marrëveshje bashkëpunimi në mes KEK-ut dhe KEDS-it, në mënyrë që të kenë sukses në grumbullimin e borxheve.

Këto mjete të grumbulluara do të mbesin në KEK. Mirëpo, nëse borxhi i konsumatorëve është më i lartë se 10 mijë euro, atëherë kompania e re, për shërbime, do të faturojë KEK-un për 10 për qind. Ndërsa, nëse borxhet janë më të vogla se 10 mijë euro, atëherë KEDS-i e faturon KEK-un, për 25 për qind të borxhit të grumbulluar”, shprehet Hoxha.

Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën e Energjetike të Kosovës, tregon se janë rreth 400 milionë euro që konsumatorët i kanë borxh kësaj kompanie për rrymën e shpenzuar gjatë 13 vjetëve të fundit.

Ai përmend disa komuna të Kosovës, që në masë të madhe nuk paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar.

Sigurisht që janë disa komuna që kanë borxh më pak. Siç është Komuna e Dragashit, është paguesi më i rregullt, pastaj është edhe Komuna e Prishtinës që paguan rregullisht faturat”.

Ndërsa, si komuna më problematike janë komunat veriore të Kosovës, përkatësisht hyjnë Mitrovica, Podujeva, Vushtrria, por edhe Deçani”, thekson Buzhala.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, thonë se gjatë procesit të tenderimit, autoritete kompetente nuk kanë dhënë informata të duhura se në çfarë mënyre do të zgjidhet problemi i borxhit të grumbulluar.

Krenar Gashi, nga Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP, megjithatë pohon se cilado kompani që mbetet përgjegjëse për menaxhimin e borxhit të grumbulluar, do përballet më sfida të mëdha në eliminimin fenomenit, siç e quan ai, të borxhit politik, në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, nuk përfundon gjithçka këtu, edhe nëse KEK-u vendos t’i falë borxhet, kompania e cila ka privatizuar distribucionin dhe rrjetin, do të ketë shumë vështirë eliminimin e fenomenit të borxheve politike, gjegjësisht mospagesës se energjisë elektrike nga qytetarët serb, sidomos nga ata në veri të vendit”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, pjesa veriore e Mitrovicës, që është e banuar më shumicë serbe, mbetet rajoni më borxhet më të mëdha, pasi që nga përfundimi i luftës, KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë.

Sipas Viktor Buzhalës, borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, llogaritet të jetë rreth 100 milionë euro.

Në këtë rajon, në mënyrë ilegale veprojnë dy operatorë të palicencuar serbë, Elektro Ekonomia e Serbisë, dhe e ashtuquajtura “ Elektrokosmet”.

Ndërsa, përfaqësues ilegalë të serbëve të asaj ane, tashmë kanë deklaruar se KEK-un nuk e njohin si institucion legal, kështu që faturat e shpenzuara të rrymës vazhdojnë t’ia paguajnë institucioneve paralele serbe.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG