Ndërlidhjet

Kuper: Beogradi interpreton "gabimisht" fusnotën


Ndërmjetësi evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper
Ndërmjetësi evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper
Ndërmjetësi evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, ka thënë se Beogradi interpreton gabimisht marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

Insistimi i Beogradit që në tabelën me emrin e Kosovës dhe yllin të shkruhet teksti i plotë i fusnotës, është interpretim i gabuar i marrëveshjes, ka thënë Kuper gjatë debatit për Kosovën në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel.

“Fusnota është fusnotë”, ka deklaruar Kuper, duke thënë se është e mjaftueshme që teksti i fusnotës të qëndrojë në dokumentet e takimeve rajonale.

Ndërkohë, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper, mbështet ambicien e Prishtinës që gjatë përfaqësimit rajonal të mos përdorë fusnotën, për të cilën është rënë dakord në Bruksel.

“Marrëveshja për përfaqësimin rajonal nuk është zbatuar për shkak të interpretimeve të ndryshme të saj. Ne jemi pajtuar që fusnota të paraqitet në tabelë (përkrah emrit të Kosovës), por për fat të keq të gjithë bëjnë sikur nuk jemi marrë vesh për një gjë të tillë. Për këtë duket qartë se kanë edhe mbështetjen e Robert Kuperit”, ka thënë Stefanoviq.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, më 24 shkurt të këtij viti.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova, në forumet dhe nismat rajonale, përfaqësohet me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

Ndryshe, në takimin e së mërkurës në Bruksel, Kuper ka thënë se nuk pret që vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të ndryshojnë qëndrim së shpejti.

“Fakti që BE-ja nuk ka qëndrim unik ndaj pavarësisë së Kosovës, është më shumë problem i BE-së sesa Kosovës, e cila duhet të përqendrohet në reforma”, ka thënë Kuper.

Shtetësinë e Kosovës nuk e kanë pranuar ende pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania.(v.t.)
XS
SM
MD
LG