Ndërlidhjet

SHBA: Presidentja Jahjaga në vizitë në Ajova


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahaga, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara, e ka vizituar shtetin Ajova, me ç’rast është takuar me zyrtarët civilë dhe ushtarakë.

Siç ka njoftuar presidenca e Kosovës, zonja Jahjaga është takuar me prefekten e qytetit Xhonston, Paula Dierenfeld, dhe me gjeneralin Timothy Orr, në selinë e Forave të Përbashkëta në kampin ushtarak Dodge të Gardës Kombëtare në Ajova, i cili ka theksuar se prej vitesh Kosova dhe Ajova kanë një partneritet shtetëror.

Në këtë kuadër, Garda Kombëtare në Ajova e ndihmon Forcën e Sigurisë së Kosovës për përmbushjen e kapaciteteve operacionale të saj.

Pasi vlerësoi se marrëdhëniet me Kosovën janë të shkëlqyeshme, gjenerali Orr tha se është me rëndësi që ky partneritet të forcohet.

Prefektja e qytetit Xhonston, në Ajova, Paula Deirenfeld, theksoi se “është hera e parë që një president i një vendi të jashtëm e viziton këtë vend dhe posaçërisht kampin ushtarak të Gardës Kombëtare dhe kjo shënon një lidhje të fuqishme që ka Garda dhe qyteti me Kosovën”.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se “ne kemi një bashkëpunim të mirë, sidomos në fushën e sigurisë në trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, dhe u angazhua për thellimin e bashkëpunimit Kosovë – Ajova.

Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Ajova është shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismajli, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Kristofer Dell.
XS
SM
MD
LG