Ndërlidhjet

Skepticizëm për përmbushjen e kushteve nga udhërrëfyesi


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës


Marrjen e udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave, përfaqësuesit e disa partive politike opozitare, e kanë vlerësuar si një hap përpara të Kosovës drejt BE-së.

Por, megjithatë, ata janë shprehur skeptikë në përmbushjen e kritereve që kërkohen nga ky dokument.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, gjatë seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, tha se ekzekutivi i vendi, nuk do të mund t’i realizojë kushtet e parapara për liberalizimin e vizave.

“Procesi i liberalizimit të vizave është një proces i veçantë për Kosovën dhe ka kushte të rënda. Kushti i parë është luftimi i krimit të organizuar. Kjo qeveri nuk është e aftë ta bëjë luftimin e krimit të organizuar. Kushti i dytë është luftimi i korrupsionit, kjo qeveri, nuk është e aftë ta bëjë luftimin e korrupsionit, sepse është vetë pjesë e saj”.

Kushti i tretë është luftimi i trafikimit me njerëz, kjo qeveri dhe përfaqësuesit e saj janë të përfshirë në këto procese. Kushti i katërt, luftimi i trafikimit me droga. Kushti i pestë është sundimi i ligjit...Ju e dini se të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vlerësimet janë se Kosova ka probleme me sundimin e ligjit”, tha Gashi.

Ai theksoi se subjekti të cilit i takon, LDK-ja, do të angazhohet për miratimin e të gjitha ligjeve të nevojshme për procesin e liberalizimit të vizave, për të shtuar se rruga e Kosovës për liberalizimin e vizave do të jetë shumë e gjatë.

Fatkeqësisht, do të jetë një rrugë e vështirë. Fatkeqësisht, është një vendim i cili shumë pritet prej qytetarëve të Kosovës, sepse mungon shpresa për zhvillim, mungon shpresa për punësim, mungon shpresa për një jetë më të mirë në Kosovë. Të gjitha këto problem vinë si rezultat i keqqeverisjes”, tha Gashi.

Por, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, duke iu përgjigjur deklaratave të deputetit Gashi, u shpreh:

Parafolësi jonë, në mënyrë hipotetike ngriti disa çështje që nuk janë asgjë e re, dhe kjo është më shumë për t’u reklamuar në televizion. Qëndrimet e Qeverisë janë të dakorduara dhe të angazhuara në mënyrë permanente për të gjitha këto dukuri të cilat i foli (deputeti). Mirëpo, se çka bën LDK-ja ne e dimë, po i tregon edhe elektorati”, tha deputeti Shaip Muja.

Në procesin e liberalizimit të vizave, Kosova ka mbetur tashmë vendi i fundit në rajon, gjë që nga zyrtarët në Prishtinë, ky proces është arsyetuar me faktin se Kosova është shteti më i ri në Evropë.

Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, është një lajm i mirë për Kosovës.

Megjithatë, Muharremi konsideron se tash, fokusi i autoriteteve të Kosovës duhet të jetë në zbatim të reformave dhe kritereve, dhe ky proces, siç shprehet ai, nuk duhet të përdoret për propagandë politike.

Kosova nuk ka alternative tjetër veç Evropës, andaj s’ka si mos t'i plotësojë këto kushte. Pyetja është sa kohë do t’i marrë Prishtinës derisa t'i zbatojë ato? Andaj, fokusi duhet të qëndrojë te reformat, dhe jo te propaganda, kur është në pyetje procesi i integrimit evropian”.

Ne duhet të bëjmë gjithçka çka është e mundshme që me përfunduar ketë izolim makabër që e kanë qytetarët e Republikës së Kosovës. Duhet të ndihmohen bizneset kosovare, të zhvillohen në mënyrë që Kosova të ketë një zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik, që qytetarët e saj, më në fund të kenë mundësi ta shijojnë këtë lëvizje të lirë, që eventualisht do t’i ofrohet Kosovës kur t’i zbatojë kriteret”, vlerësoi Muharremi.

Ndryshe, institucionet kosovare e kanë përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian, për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.


Dorëzohet udhërrëfyesi


Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

"Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash të cilat duhet t’i plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore. Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave", thuhet në komunikatën e KE-së.

Në këtë komunikatë, zonja Malmstrom citohet të ketë thënë se "Ceremonia e sotme e dorëzim-pranimit të këtij dokumenti, i shpie qytetarët e Kosovës një hap më afër udhëtimit pa viza".

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat të cilat do të duhet t’i implementojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza.

"Se a do të bëhet realitet udhëtimi pa viza dhe se kur do të bëhet varet nga angazhimi i qeverisë për implementimin e këtyre reformave të vështira në terren,” ka thënë zonja Malmstrom.

Në ceremoninë e dorëzim-pranimit, komisionerja Malmstrom u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës. (a.v.)
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG