Ndërlidhjet

Gjobiten kompanitë që importojnë me UNMIK/Kosovo


Produkte me mbishkrimin UNMIK/Kosovo
Produkte me mbishkrimin UNMIK/Kosovo
Shtatë kompani kosovare që importojnë produkte nga shtetet e rajonit, me mbishkrimin UNMIK/Kosovo, janë gjobitur nga inspektorët e tregut të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Për këto veprime, këto kompani janë gjobitur prej 2 mijë e 500, deri në 3 mijë e 500 euro, varësisht nga sasia e zbuluar e mallrave me këto mbishkrime.

Këtë e bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se të gjitha kompanitë e ndëshkuara janë importuese të produkteve nga shteti fqinj i Serbisë.

Inspektorati i tregut ka marrë masat administrative, dhe ndaj shtatë subjekteve të zbuluara, të cilat kanë vendosur produkte të tilla në treg, ka ngritur procedura kundërvajtjeje, apo më mirë të themi, ka lëshuar gjoba në vlerë prej 2 mijë e 500, deri në 3 mijë e 500 euro. Kjo vlerë e gjobës është varur nga sasia e produkteve të hasura në tregun e brendshëm të Kosovës”, thekson Shehu.

Ndryshe, që nga 1 maji, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndaluar importin e të gjitha produkteve me akronimin UNMIK/ Kosovo.

Ndërsa, që nga 1 qershori inspektorati i kësaj ministrie po kontrollon tregun kosovar se a kanë arritur kompanitë importuese të përmirësojnë etiketat dhe deklarimin e mallit nga UNMIK/Kosovo, në “Importues për Kosovë”.

Kryeinspektori Shehu, pohon se në treg nuk është gjetur sasi e madhe e produkteve më akronimin UNMIK/ Kosovo.

Megjithatë, ai thotë se aksioni për kontrollin e dyqaneve do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Aksioni do të vazhdojë prapë. Ne jemi në vazhdën e kontrollit të aksionit, dhe në këtë drejtim kemi një përmirësim të dukshëm. Mund të themi se mbi 90 për qind të produkteve në tregun e brendshëm, të gjithë importuesit deri më tani kanë përmirësuar dhe kanë zbatuar vendimin e nxjerrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, thotë Shehu.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit kërkojnë nga kompanitë importuese që të përmirësojnë etiketën dhe deklarimin e produkteve .

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thekson se afaristët kosovarë duhet të zbatojnë vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë

Ne, paralel më ftesën për të ndaluar importin produkteve më këtë mbishkrim, kemi kërkuar nga afaristët që të vendosin etiketat në produktet. Ndërkaq, tashmë është edhe mundësia që të gjitha produktet që janë prezente në treg, ta kenë mbishkrimin sipas udhëzimit administrativ për etiketim të produkteve”, shprehet Rukiqi.

Sipas ligjeve në fuqi, etiketa dhe deklarimi i mallit duhet të përmbajë emrin e plotë dhe të saktë të importuesit, si dhe emrin e shtetit të tyre.
XS
SM
MD
LG