Ndërlidhjet

WP: Euro 2012, Olimpiada, rruga e shtrenjtë për të rritur humorin evropian


Një fanse kroate...

Një fanse kroate...

“Washington Post”

Shkruan: Anne Applebaum, gazetare dhe fituese e Çmimit Pulitzer



Në sallonin e bukurisë në rrugën Grzybovska, manikyristja shikonte orën e saj. E veshur kuq e bardhë, me vathë në formë pende kuq e bardhë, ajo ua lyente thonjtë kuq e bardhë gjatë gjithë ditës klientëve.

Por, tash ajo do që të mbarojë - së shpejti do të jetë koha për ndeshjen. A do të shkojë ajo? Sigurisht, që do të shkojë. “Këdo që njoh, shkon!”.

Të premten e kaluar, u duk sikur të gjithë në Varshavë shkonin në ndeshjen – që e hapte kampionatin evropian të futbollit Euro 2012, i cili është bashkë-organizuar këtë vit nga Polonia dhe Ukraina.

Polonia në ndeshjen e parë luante kundër Greqisë dhe më shumë se 50 mijë ishin drejtuar për në stadium. Disa dhjetëra mijëra të tjerë ishin mbledhur në zonën e “tifozëve” në qendër të qytetit. Shumica ishin të veshur me ngjyrat e flamurit polak: këmishat e kuqe, pantallonat e bardha, bikini të kuqe, shirita të bardhë, çorape të kuqe, këpucë të bardha.

Një minoritet i vogël sportiv veshur blu e bardhë sigurisht tifozë të Greqisë, u veçua.
Por, në momentin që u ndeshën, tifozët grekë këndonin “Hellas! Hellas!”dhe tifozët polakë iu përgjigjeshin “Polska! Polska!”

Dhe të dy palët qeshnin dhe largoheshin.

Mungesa e ‘urrejtjes’ mes tifozëve, mund të reflektojë mungesën e armiqësisë historike mes Polonisë dhe Greqisë. Tifozët polakë dhe rusë u përleshën kur ekipet e tyre luajtën të martën.

Kjo gjithashtu mund të reflektojë faktin se as Polonia e as Greqia nuk kanë shumë mundësi për ta fituar turneun.

Unë i thashë manikyristes se shumë frikësohen se Polonia do të dështojë qysh në raundin e parë. Ajo mblodhi supet dhe tha: “Unë jam thjesht e lumtur që ne kemi turneun, dhe unë me të vërtetë dua të kënaqem gjatë tij”.

Mendova për ato fjalë më vonë atë mbrëmje, kur po drejtohesha ka stadiumi, i veshur kuq e bardhë, dhe duke dëgjuar brohorimat e turmës (ndeshjet e Polonisë mbaruan 1 me 1 si me Greqinë ashtu edhe me Rusinë, dhe ky ishte një lehtësim i përgjithshëm).
Çdokush me të vërtetë kënaqej duke kënduar “Polska, Polska” brenda dhe jashtë stadiumit. Por a ia vlente kjo?

Bazuar thjesht në matematikë, është goxha e qartë se nuk ia vlen.

Askush nuk e di ende se sa do të jetë kostoja finale e turneut njëmujor të Euros për taksapaguesit polakë dhe ukrainas, derisa vetëm për stadiume u bë një investim i madh.

Tetë arena u desh të ndërtohen ose të rinovohen me një kosto prej rreth 2.8 miliardë dollarësh, ndërsa shitjet e biletave gjatë turneut pritet që të japin vetëm rreth 190 milionë dollarë.

Edhe duke llogaritur se sa mund të shpenzohet në ushqim, pije dhe hotele, mbetet një hendek i madh buxhetor, i cili nuk do të mund të mbushet më vonë.
Stadiumi i ri Kombëtar i Varshavës iu kushtoi taksapaguesve rreth 550 milionë dollarë.

Ai do të përdoret katër herë gjatë këtij kampionati dhe pastaj çfarë? A do të qëndrojë bosh, si stadiumi “Foleja e Zogut” ndërtuar për Lojërat Olimpike në Pekin? Apo do të presë turma të vogla, si arena e humbjes së parave e ndërtuar për Kupën Botërore 2002në Korenë e Jugut dhe në Japoni?

Nuk do të ishte befasi, po që se nikoqirët e sivjemë do të humbasin para, meqë shumica e ngjarjeve ndërkombëtare sportive këtë gjë bëjnë.

Merreni shembull Olimpiadën e muajit të ardhshëm: Në vitin 2002, qeveria britanike vlerësoi koston e pritshme të Lojërave Olimpike në 2.8 miliardë dollarë.
Dhjetë vjet më vonë, çmimi ka kaluar 15 miliardë dollarë dhe është ende në rritje.

Kur të shtohen edhe gjërat tjera- bizneset e humbuara, më shumë se 13 mijë 500 ushtarë britanikë që do patrullojnë në rrugët e Londrës (më shumë se sa janë në Afganistan)- shpenzimet mund të shkojnë në 38 miliardë dollarë.

Kjo është një shumë e majme për çdo qeveri që të shpenzojë në bukë dhe cirk – përderisa kombi nuk nxjerr edhe diçka tjetër nga ajo. Pyesja veten për këtë pas shikimit të ceremonisë së hapjes në Varshavë.

Lumturisë së manikyristes polake, për shembull, që ishte aq e kënaqur se “ne kemi turneun” dhe se Varshava, si kryeqytetet e tjera evropiane, tani ka një stadium “të vërtetë” futbolli: çfarë çmimi do t’i kishit vënë?

Tifozët e gëzueshëm ukrainas, fytyrat e tyre të vizatuara blu dhe verdhë, aq të kënaqur që po presin një bandë të të huajve, të cilëtpërndryshe nuk do ta dinin as që ekzistonin: Sa ia vlen kjo?

Në Evropën moderne, ngjarjet e mëdha sportive janë pothuajse koha e vetme kur ju lejohet të brohorisni emrin e vendit tuaj pa u turpëruar. Ndërsa në një moment të zymtë historik, është koha e vetme kur mund të injoroni lajmet e këqija ekonomike.

Kryeministri spanjoll befas përfundoi konferencën e tij për shtyp të dielën mbi bankat e vendit, për arsye se do të fluturonte për nëGdansk që ta shikojë ekipin e vendit të tij - dhe të gjithë e falën atë.

Por, unë vazhdoj të mendoj se investimet e mëdha sportive janë humbje e parave. Por, nëse do të kishte ndonjë mënyrë që t’i vihet një vlerë monetare disponimit kombëtar, ndoshta shumat do të ishin tjera.(a.i.)
XS
SM
MD
LG