Ndërlidhjet

Serbët protestojnë kundër targave kosovare




Disa qindra qytetarë serbë të veriut të Kosovës të premten kanë protestuar duke shprehur pakënaqësinë për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndalojë qarkullimin në Kosovë të automjeteve me targat serbe, të cilat bartin shkronjat fillestare të qyteteve të Kosovës.

Protestuesit kanë shkuar në drejtim të dy vendkalimeve kufitare në veri të vendit, në Jarinë dhe Bërnjakë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë theksuar se protestuesit kanë udhëtuar me veturat, të cilat bartnin targat serbe.

Sami Mehmeti, zyrtar për informim i Policisë së Kosovë për rajonin e Mitrovicës, tha se protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

Protesta e sotme ka filluar rreth orës 9:00, ku 300 qytetarë me veturat e tyre civile janë nisur prej qyteteve të pjesës veriore, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë dhe Leposaviq, si dhe janë drejtuar për në pikat kufitare 1 dhe 31. Gjithçka ka kaluar qetë dhe rreth orës 11:00 janë shpërndarë protestuesit. Nuk ka pasur asnjë incident dhe çdo gjë ka kaluar qetë”, ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë thënë se qarkullimi me automjete që bartin targat serbe, në drejtim të pikave kufitare 1 dhe 31, si formë e protestës, është bërë për të kundërshtuar paralajmërimet e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovës (EULEX), të cilat kanë thënë se që nga data 15 qershor do të fillojnë që t’i konfiskojnë targat serbe, të cilat mbajnë shkronjat fillestare të qyteteve të Kosovës.

Kërstimir Pantiq, drejtues i komunës paralele të Mitrovicës, ka thënë se qytetarët serbw të veriut po protestojnë kundër, siç i quajti ai, politikave të dyfishta, të cilat, sipas tij, EULEKS-i po i aplikon ndaj serbëve në veri të vendit.

Kjo është vetëm një formë e protestës së qetë dhe shprehjes së mospajtimit ndaj politikës, të cilët një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po e zbaton në Kosovë. Në vendkalimet kufitare, pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEKS-it do t’i dorëzohen kërkesat e qytetarëve të veriut të Kosovës, që ata ta respektojnë Rezolutën 1244”.

Ata duhet t’ua mundësojnë lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve në Kosovë, pra edhe serbëve dhe të ndërpresin mbështetjen ndaj institucioneve të shqiptarëve, si dhe të mos ua konfiskojnë serbëve lejet e qarkullimit dhe të vozitjes, të cilat ata i marrin nga Ministria e Brendshme e Republikës së Serbisë”, tha Pantiq.

Qytetarët serbë të cilët kanë marrë pjesë në protestën e së premtes, janë shprehur të pakënaqur lidhur me, siç kanë thënë ata, qasjen që ndaj tyre kanë EULEX-i dhe KFOR-i, si dhe kanë shprehur mosbesimin dhe refuzimin ndaj institucioneve të Kosovës.

Milanka Topliçeviq, e cila ishte pjesëmarrëse në protestë, tha se nuk dëshiron të ketë asnjë simbol tjetër përveç atyre serbw.

Ne nuk do të lejojmë. Kjo është tokë e shenjtë dhe ashtu do të mbetet. Ne nuk lejojmë targat e askujt tjetër. Ne jemi serbw dhe do të mbetemi të tillë. Ne nuk i dëshirojmë flamujt shqiptarw dhe targat shqiptare”, tha Topliçeviq.

Nenad Jovanoviq, i cili gjithashtu po protestonte, tha se te serbët në veri ekziston frika se Qeveria e Kosovës po ndërmerr veprime që janë në kundërshtim me interesat e serbëve që jetojnë në veri të vendit.

Te populli është nxitur frika se me këto veprime po na detyrojnë që t’i pranojmë institucionet dhe ligjet e tyre”, ka theksuar Jovanoviq.

Ndërkaq, Aleksandar Bullatoviq, ka thënë se përmes protestës, serbët kanë shfaqur mosbesimin ndaj institucioneve të Kosovës.

Ne po e shfaqim mosbesimin ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat po dëshirojnë që të na tërheqin në ato institucione. Ne këtë nuk do ta pranojmë. Kjo është një formë e pavarësisë së Kosovës, sepse në tabelat e tyre shkruan RKS dhe natyrisht që ne nuk do t’i pranojmë”, tha Bullatoviq.

Ndryshe, që nga 1 qershori, Qeveria e Kosovës ka ndaluar qarkullimin e automjeteve që bartin targat e vjetra të Serbisë dhe ka obliguar qytetarët serbë që t’i ndërrojnë këto targa me targa të reja të Kosovës, qofshin ato RKS apo KS .

Ky vendim i Qeverisë Kosovës është bazuar në marrëveshjen për lëvizje të lirë, e cila është arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, afati fillestar për ri-regjistrimin e automjeteve me targa legale ka qenë 31 dhjetori i vitit të kaluar, por, për shkak të nevojave në terren, është zgjatur disa herë.

Deri në vendimin e fundit të Ministrisë së Brendshme lidhur me targat jolegale, qytetarët serbë kanë regjistruar 6 mijë e 100 vetura dhe janë pajisur me targa legale.
XS
SM
MD
LG