Ndërlidhjet

Kroacia e mbështetë integritetin territorial të Kosovës


Flamuri i Kroacisë
Flamuri i Kroacisë
Ministri i mbrojtjes i Kroacisë, Ante Kotromanoviq, ka thënë se vendi i tij “fuqishëm e mbështetë integritetin dhe pandashmërinë e territorit kosovar” dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Këto komente ai i bëri me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka njoftuar ministria e mbrojtjes e Kroacisë.

Me këtë memorandum janë përcaktuar fushat e bashkëpunimit të Kroacisë dhe Kosovës, siç janë ai në sektorin tekniko – ushtarak dhe shkollimi i pjesëtarëve të FSK-së në Universitetin ushtarak të Kroacisë.

“Besoj se roli i Bashkimit Evropian, i NATO-s dhe i bashkësisë ndërkombëtare në Republikën e Kosovës është kyç, në mënyrë që të përforcohet orientimi i saj evropian dhe të realizohet perspektiva e anëtarësimit në BE”, ka thënë ministri Kotromanoviq dhe ka shtuar se Zagrebi e mbështet fuqishëm vendosjen e EULEKS-it në gjithë territorin e Kosovës.

Ministri Agim Çeku është shprehur i kënaqur që Forca e Sigurisë së Kosovës dhe ushtria e Kroacisë do të bashkëpunojnë në mënyrë profesionale.

Ai theksoi se Kroacinë e konsideron lider në rajon jo vetëm në planin politik dhe ushtarak por edhe në atë kulturor.
XS
SM
MD
LG