Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i nuk flet për rastin Asanaj

  • RFE /RL

EULEX

EULEX

Misioni i EULEX-it nuk i ka komentuar rezultatet e para të autopsisë, të kryera nga mjekësia ligjore, si një nga pistat e zbardhjes së vdekjes së Dino Asanajt, shef i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të gjitha deklaratat zyrtare për këtë rast duhet t’i kërkoni tek autoritetet lokale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë njëri nga zyrtarët e EULEX-it.

Ndërkohë, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i ka thënë Televizionit Publik të Kosovës se “të gjitha gjetjet në trupin e Asanajt tregojnë se të njëjtat janë shkaktuar nga vetë ai” dhe se “bëhet fjalë për vetëvrasje”.

Të njëjtat, sipas tij, konsistojnë me formën e veprimit vetanak dhe nuk janë gjetur shenja se ka qenë e mundur të bëhen nga dikush tjetër.

“Në trupin e tij, respektivisht në qafë, janë konstatuar dy plagë prerëse në anën e majtë, shtatë plagë shpuese në anën e djathtë dhe dy plagë në gjoks - njëra prej ishte tyre fatale dhe ka arritur deri në zemër”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Autopsia është kryer nga komisioni në përbërje: Arsim Gërxhaliu, Flamur Blakaj dhe Karmen Barbuf nga EULEX-i.

Si pistë tjetër e hetimeve në rastin e vdekjes së Asanajt është edhe një letër e gjetur në tavolinën e tij, ku ai përmend disa shkrime në media dhe biznesmenë kosovarë.

Megjithatë, hetimet thuhet se duhet ta vërtetojnë autorësinë e shkrimit.

Organet e hetuesisë janë duke trajtuar rastin dhe nuk është konstatuar ende zyrtarisht nëse Asanaj është vrarë apo vetëvrarë.

Ai ka ndërruar jetë të enjten, pas plagëve të marra nga prerjet me thikë, kurse varrimi i tij është bërë të premten me nderime të larta shtetërore.(z.g.)
XS
SM
MD
LG