Ndërlidhjet

Thaçi takon Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-së


Foto arkivi
Foto arkivi
Gjatë vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Ekmeledin Ihsanoglu.

“Sekretari Ihsanoglu ka shprehur konsideratë të veçantë për vizitën e parë të kryeministrit Thaçi në selinë e kësaj organizate dhe ka paraqitur një historik të kësaj organizate lidhur me përkrahjen e Kosovës, që nga viti 1996 deri më sot”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas saj, sekretari Ihsanoglu është zotuar se do të vazhdojë përpjekjet e tij për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që akoma nuk e kanë bërë këtë.

Nga 57 shtete anëtare të OBI-së, 30 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në takim, kryeministri Thaçi ka paraqitur një pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, duke nënvizuar idenë se pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe dhe stabilitet.

Si rezultat i punës së mirë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 2 korrik 2012, Grupi Ndërkombëtar Drejtues do të marrë vendim për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, ka theksuar kryeministri Thaçi.
XS
SM
MD
LG