Ndërlidhjet

KFOR-i mbyll fizikisht një kalim ilegal


Foto arkivi
Foto arkivi
Forcat e KFOR-it konfirmojnë se kanë përfunduar me sukses operacionin e mbylljes fizike të një kalimi ilegal të kufirit, në afërsi të Bërnjakut.

“Ky operacion është kryer në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Aksioni i KFOR-it, si edhe herave të tjera, ka hasur në kundërshtimin e popullatës lokale serbe.

Strukturat paralele të pushtetit kanë lëshuar sirenat e alarmit, duke ftuar popullatën të dalë në kundërshtim të aksionit të forcave paqeruajtëse.

Sipas mediave serbe, dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur gjatë këtyre përpjekjeve për ta penguar KFOR-in. Plagët thuhet se janë të lehta dhe se ata janë lëshuar në shtëpi pas ndihmës së parë që kanë marrë në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok.

Në anën tjetër, në komunikatën e KFOR-it thuhet se kjo forcë nuk mund t’i konfirmojë raportimet që flasin për lëndimet e njerëzve, në momentin kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër tre plumba gome, për të penguar protestuesit nga hyrja mbi automjetet e KFOR-it.

“...mirëpo, mund të deklarojmë që situata e përgjithshme mbetet e qetë”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës të NATO-s.
XS
SM
MD
LG