Ndërlidhjet

Opozita: Efektet e krizës në Eurozonë, edhe në Kosovë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Efektet e krizës ekonomike në Eurozonë, po vërehen edhe në Kosovë, thonë përfaqësues të subjekteve opozitare që veprojnë në vend. Sipas tyre, tashmë efektet po vërehen te rënia e investimeve ndërkombëtare dhe zvogëlimi i dërgesave nga emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Edhe përfaqësues të partisë në pushtet tashmë kanë deklaruar se kriza e Eurozonës do të prekë këta dy sektorë, por nuk do të ketë ndikim të madh për shkak se Kosova ka borxhin publik më të voglin në rajon.

Por, Abdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se kriza e Eurozonës ka ndikuar në përkeqësimin e shumë sektorëve ekonomikë.

“Është rënia e investimeve dhe remitencave, të cilat pastaj krijojnë efekte multiplikuese brenda ekonomisë vendore, sepse zvogëlohet kërkesa agregate, zvogëlohen investimet, zvogëlohet potenciali prodhues, zvogëlohen eksportet”.

“Nëse i shohim eksportet e Kosovës, ato janë zvogëluar në terma real prej një viti. Dhe, kjo është shenjë se prodhimi vendor ka rënë si rezultat i rënies së kërkesës agregate, si rezultat i rënies së investimeve. Edhe në sektorin bankar, përqindja e kredive të këqija është rritur, që është indikacion se bizneset nuk janë në situatë të mirë
”, thotë Hoti.

Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se Kosova qe 13 vjet gjendet në krizë ekonomike dhe sociale. Sipas tyre, efektet e krizës vërehen më pak se sa në vendet e zhvilluara.

Visar Ymeri, nga kjo lëvizje, megjithatë thotë se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj krizës ekonomike të Eurozonës, kur të gjitha shtet që ballafaqohen me krizën, përdorin euron si monedhë të përbashkët.

Ai thekson se Kosova rrezikohet edhe si rezultat i administrimit të financave publike nga qeveria.

“Kosova i ka edhe rreziqet tjera të krizës që vijnë nga vetë menaxhimi i parasë publike që po bëhet këtu në Kosovë dhe nga ky presion i vazhdueshëm fiskal, të cilin e ka vendosur Qeveria këto ditë”, shprehet Ymeri.

Edhe Donika Kada - Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se në një vend me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, vështirë është të vërehet kriza e Eurozonës. Ajo thotë se kriza ka ekzistuar pasi nuk ka pasur prodhim dhe standard të lartë të jetës, siç thotë ajo, përveç udhëheqësve të shtetit.

”Ajo që vërehet kohëve të fundit, është se ka pasur rritje jashtëzakonisht të madhe të çmimeve, ka pasur një inflacion më të lartë, ndërkaq vende pune nuk ka pasur shumë, as në periudhën paraprake, por as tani”.

“Por, unë do t lidhja edhe një aspekt tjetër që ndërlidhet me krizën ekonomike globale, e ajo është mungesa e investimeve dhe investitorëve”
, thekson Kada - Bujupi.

Në bazë të një raporti të Bankës Botërore të titulluar “Perspektiva Globale Ekonomike për vitin 2012”, ku përfshihet edhe Kosova, thuhet se për shkak të problemeve të borxheve në Eurozonë, në Kosovë gjatë këtij viti do të ketë rënie të bruto-prodhimit vendor në 3.9 për qind, nga 6.3 për qind sa ishte në vitin e kaluar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG