Ndërlidhjet

EURO 2012: Secili mund ta mundë secilin


Nga ndeshjet Euro 2012...

Nga ndeshjet Euro 2012...

Kampionati Evropian i Futbollit, i cili këto ditë po mbahet në Poloni dhe Ukrainë, ndonëse është kampionati i tretë që zhvillohet në dy shtete, ka treguar se është i organizuar mjaft mirë dhe i programuar me precizitet të lartë, vlerësojnë ekspertët e futbollit dhe njohësit e zhvillimeve sportive.

Por, sipas tyre, duke u nisur nga rrjedhat e këtij kampionati dhe takimeve të zhvilluara deri më tash, pavarësisht se janë të dukshme ekipet përfaqësuese që pretendojnë të jenë favorite për të fituar kampionatin, megjithatë, ende është herët që të prognozohet për së afërmi një gjë e tillë.

Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se nga ekipet, të cilat janë vlerësuar si favorite, sikurse Spanja, e cila është kampione aktuale e Evropës, pastaj Gjermania, Italia, Franca, vetëm Holanda nuk e kanë treguar formën e pritur.

“Ndoshta, diçka e re, në aspektin strategjik, është Italia ajo e cila i është kundërvënë Spanjës me një vendosje, do të thosha, klasike, me 3-5-2. Kjo vendosje është treguar mjaft e mirë kundër lojës së spanjollëve, e cila deri tash edhe pse është bërë e lexueshme, vështirë po i kundërvihen ekipet”.

“Mendoj se Franca ka një formë të mirë dhe tash hyn në grupin e ekipeve favorite për të fituar medalje. Po ashtu, edhe gjermanët kanë treguar karakter. Unë mendoj që ekipi që nuk ka pasur fat në këtë kampionat është Suedia, e cila e ka luajtur një futboll jashtëzakonisht atraktiv dhe mjaft modern”
, thotë Sokoli.

Gani Kosumi, redaktor përgjegjës për sportin në Radio Kosova, gjithashtu vlerëson se Kampionati i futbollit Euro 2012, është ndër kampionatet më së miri të organizuara. Gjatë këtij kampionati është karakteristike edhe ndarja e drejtësisë, thotë Kosumi, që ka qenë mjaft e mirë dhe korrekte, ndërkohë që skuadrat po tregojnë frymë mjaft luftarake.

“Skuadrat po tregojnë shpirt të lartë luftarak. U dëshmua edhe në ndeshjet e fundit ndërmjet ekipit të Anglisë, që shënoi fitore mjaft të ekuilibruar, sepse Suedia e hodhi në sprovë shumë të vështirë. Megjithatë, Anglia ka gjasë që të kualifikohet për gara të mëtejme. Befasi e dorës së parë mund të jetë mënjanimi i Holandës - kushtimisht të themi, mënjanimi, sepse ende ka gjasa teorike që Holanda të mund të kualifikohet, por gjasat janë shumë të vogla. Holanda është zhgënjimi më i madh në këtë kampionat”, vlerëson Kosumi.

Pas përfundimit të fazë së grupeve që pritet të ndodhë me datën 19 qershor dhe me fillimin e fazës së eliminimit, ndeshjet do të fitojnë dinamikë më të madhe vlerësojnë njohësit e futbollit.

Trajneri Sokoli thotë se duke u bazuar në lojërat që deri më tash kanë treguar ekipet që vlerësohen si favorite, është vështirë që të prognozohen finalistët. Por, megjithatë, ai e jep një parashikim të rrjedhave të mundshme të këtij kampionati.

“Të gjitha ndeshjet është vështirë që t’i parashikosh. Ka kaluar koha e favoritëve absolut. Unë them që përfaqësuese të dobët nuk ka në këtë evropian dhe secila - secilën ka mundësi që ta mundë. Prandaj, favorit nuk ka dhe nuk mund ta parashikosh rezultatin lehtë”.

“Ndonëse, unë thashë, në bazë të rezultateve dhe lojës, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania, kanë treguar lojëra shumë të pjekura në aspektin strategjik, por, mendoj se edhe ekipet tjera, sikurse Suedia, e cila ka pësuar në dy ndeshje, mendoj se kanë treguar lojë të nivelit shumë të lartë”,
shprehet Sokoli.

Ndërkaq, Kosumi vlerëson se janë 5 favoritë që mund të fitojnë titullin e kampionit të sivjetmë evropian të futbollit.

“Konsideroj se Gjermani, Spanja, pastaj, mund të jetë Franca, Italia e ndoshta, e pasta edhe Anglia, që mund të luftojnë për titullin e kampionit. Besoj se skuadrat tjera nuk kanë kapacitet për të luftuar për titullin e kampionit”, thekson Kosumi.

Ndryshe, Kampionati Evropian i Futbollit “Euro 2012” ka nisur më 8 qershor, ndërkaq pritet të përfundojë më 1 korrik, kur do të luhet ndeshja finale e këtij kampionati.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG