Ndërlidhjet

logo-print

KFOR-i s'lejon bllokimin e rrugës Rudarë-Jarinë


Foto arkivi

Foto arkivi

Ushtarët e KFOR-it i janë kundërpërgjigjur shpejt një tentative të disa serbëve që po përpiqeshin të vendosin disa pengesa në rrugën veri të fshatit Rudarë, që çon për në Jarinë, diku rreth orës 01:00 të së dielës.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, tha se këta banorë po përpiqeshin që të pamundësonin lëvizjen në këtë rrugë, por ushtarët e KFOR-it i kanë larguar pengesat nga rruga.

“Ishte një tentativë e disa serbëve që të vendosin disa dërrasa në rrugë në veri të fshatit Rudarë, rreth orës 01:00 të natës. Por, nuk kemi të bëjmë me një bllokim rruge (barrikadë). Ishin vetëm disa dërrasa dhe ato janë larguar nga KFOR-i menjëherë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Forcave Paqeruajtëse të KFOR-it.

Kjo ishte një përpjekje për ta bërë këtë rrugë të pamundshme për të lëvizur drejt Jarinës, ka thënë Novicki, duke konfirmuar se rruga qysh mbrëmë ka qenë e hapur dhe e kalueshme.

Qytetarët nuk kanë shfaqur rezistencë dhe operacioni ka kaluar në mënyrë të qetë, raportojnë mediat serbe.

Ai pason aksionin e së shtunës, kur misioni paqeruajtës ka mbyllur fizikisht një vendkalim ilegal kufitar në afërsi të Bërnjakut.

Ky operacion ka nxitur reagimin e serbëve lokalë, por edhe të Qeverisë në Beograd, e cila ka fajësuar KFOR-in për rritje të tensioneve në veri.

Që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, banorët serbë të veriut kanë penguar vazhdimisht lëvizjen e lirë, duke vendosur barrikada në rrugë.
XS
SM
MD
LG