Ndërlidhjet

Pushimet verore: Pak para, shumë dëshira


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Shumë të rinj të Kosovës, pavarësisht dëshirës së tyre që ta kalojnë një pjesë të pushimeve të tyre në bregdet, nuk kanë mundësi financiare ta bëjnë një gjë të tillë. Por, ka edhe të tillë që me ndihmën e familjarëve arrijnë që disa ditë t’i kalojnë në bregdet. Kështu thonë disa të rinj për rubrikën tonë të përjavshme VOX.




Sadete Hoxha, mësimdhënëse, thotë se kushtet e rënda ekonomike, nuk e lejojnë që ajo një pjesë të pushimeve të saj, ta kalojë në bregdet.

“Më se e sigurt jo, për shkak se ma imponojnë kushtet materiale. Jetoj me pagë të arsimit, dhe nuk kam mundësi”, thotë Sadetja.

Ka edhe të tillë që ende nuk kanë vendosur se ku do t’i kalojnë pushimet, por që plane kanë. Njëra nga to është edhe Kaltrina, 25 vjeçe, gazetare me profesion.

“Ende nuk kam vendosur se ku do të shkoj, por mendoj se do të shkoj në Turqi. Unë punoj, edhe pse rrogat nuk po rriten, por do të kursej dhe do të rri 7 ditë. Mendoj se ia vlen të pushoj 7 ditë në vit, meqenëse punoj 1 vit”, shprehet Kaltrina.

Të rinjtë kryesisht pushimet i kalojnë me shoqëri, por disa nga ta vazhdojnë të shkojnë për pushime në bregdet me familje. Alvina Kastrati, studente e Fakultetit Juridik, thotë se këtë verë pushimet do t’i kalojë në bregdetin shqiptar, përkatësisht në Dhërmi:

“Me siguri do të shkojmë. Kam planifikuar të shkoj me familje. Dhërminë e kemi zgjedhur sepse kemi qenë edhe më herët dhe na pëlqen shumë ai vend. Unë jam studente, por kam mundësi, meqë babai na financon”.

Ndërsa, i riu tjetër, Abdullahu, mendon të shkojë në Mal të Zi:

“Unë do të shkoj në Ulqin dhe do të rri 25 ditë. Ashtu e kam planifikuar”.

Endritit i pëlqen shumë Deti Adriatik, andaj ai ka vendosur që këtë verë, ta kalojë në Ulqin. Edhe pse Endriti thotë se nuk punon, familja e tij ia mundëson një gjë të tillë.

“Mendoj të shkoj në Ulqin. Jam mësuar të shkoj çdo vit atje. Edhe pse jam student, vëllai im në Londër na ndihmon, e edhe këtë verë do të më ndihmojë financiarisht”, tregon Endriti.

Por, jo edhe Bujar Krasniqi, student ka marrë vendim të shkoj në bregdet. Kjo për arsye të mungesës së të hollave:

“Shpreso të shkoj. Mundësitë nuk janë aq të mëdha, por shpresoj të shkoj. Nëse shkoj, sigurisht në Ulqin do t’i kaloj pushimet verore”.

Ka edhe të atillë që më shumë se detin, e preferojnë liqenin. Një ndër to është Drenusha, 22- vjeçare, studente e Fakultetit Ekonomik:

“Plane nuk kemi për pushime ende. Kemi biseduar me shoqëri të shkojmë në Ohër, por ende nuk e di”.

E, të tjerët mbesin që ditët e nxehta t’i kalojnë nëpër pishina, meqë si studentë nuk u lejojnë mundësitë financiare të shkojnë më larg. Linda Sadiku, tregon më shumë:

“Pushimet verore do t’i kaloj nëpër pishinat e Prishtinës. Jam studente dhe nuk kam mundësi të shkoj në bregdet këtë vit, meqë po këtë vit edhe i kam filluar studimet”.

E, Remzi Kuleta, tregtar me profesion, këtë verë do të shkojë vetëm për 5 ditë në bregdetin shqiptar.

“Do të shkoj në Velipojë. Më ka pëlqyer shumë vjet, dhe do të shkoj edhe sivjet. Unë punoj dhe kam mundësi. Për 5 ditë do të shkoj”, thotë Remziu.

Por, në qoftë se ndonjë qytetar i Kosovës vendos të shkojë në ndonjë shtet ku duhet hyrë me vizë, atëherë kanë probleme.

Dije Maloku thotë se dëshira e saj është të shkojë në Kroaci këtë verë, por ka probleme me marrjen e vizës.

“Pushimet planifikojmë t’i kalojmë në Kroaci, por si zakonisht po kemi probleme me marrjen e vizave, andaj do të shohim a do të na realizohen planet”, tregon Dija.

E Vahidja, studente, thotë se ka dëshirë që të shkojë me shoqe për pushime, por për shkak të pamundësive financiare, do t’i bashkëngjitet familjes dhe do të shkojë për disa ditë me ta në Ulqin.

“Do të shkoj në Ulqin. Unë jam studente, nuk kam mundësi të shkoj vetë, por do të shkoj me familje”.

Mirëpo, ka edhe të atillë që për një kohë të gjatë kursejnë, për t’i kaluar pushimet në bregdetin turk. Zana Alijakupi, flet:

“Kemi planifikuar me shoqëri të shkojmë në Turqi. Jam studente, por kam kursyer të holla qe një kohë për t’i kaluar pushimet atje”.
XS
SM
MD
LG