Ndërlidhjet

KFOR-i demanton mediat serbe: Nuk plagosëm askënd


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it kanë demantuar njoftimet e mediave serbe në lidhje me plagosjen e dy pjesëtarëve të komunitetit serb gjatë aksionit të djeshëm për bllokimin e një rruge alternative (ilegale) të kalimit të kufirit midis Kosovës e Serbisë, në afërsi të Bërnjakut.

“KFOR-i konfirmon se trupat e tij kanë shtënë tre plumba gome direkt në ajër, vetëm si paralajmërim, për të mos i lënë protestuesit të hipin në automjetin e KFOR-it te TERMOHI".

"Ky incident ka ndodhur menjëherë pasi KFOR-i me sukses ka përfunduar një operacion, duke mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16 në afërsi të Bërnjakut, ku demonstruesit kanë arritur për të protestuar kundër këtij aksioni. Si rezultat, asnjëri nga protestuesit nuk ka marrë lëndime”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KFOR-i.

Në të njëjtën thuhet se një grua është prekur lehtë nga e gjithë situata dhe është ligështuar, por jo nga të shtënat.

“Ushtarët e KFOR-it i kanë ndihmuar asaj duke e dërguar nën hije dhe duke i dhënë për të pirë lëngje. Pas kësaj, ajo e mori veten sërish”, vijon komunikata.

“Raportimi në disa media serbe për dy persona të lënduar në kontekstin e protestës kundër mbylljes së rrugës alternative të Portës 16, nuk është i saktë”, thuhet në fund të komunikatës së KFOR-it.
XS
SM
MD
LG