Ndërlidhjet

Integrim i veriut apo federalizim i Kosovës?!


Mitrovicë - foto nga arkivi

Mitrovicë - foto nga arkivi

Institucionet e Kosovës do ta kenë tepër të vështirë ose të pamundur që ta integrojnë veriun e vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë.

Sipas tyre, përderisa në njërën anë Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do ta përdorë dhunën për këtë qëllim, në anën tjetër, serbët e veriut të vendit tashmë e kanë bërë të ditur vullnetin e tyre se janë kundër këtij integrimi.

Këta të fundit, kohë më parë, përmes referendumit, për të cilin është thënë se nuk do të prodhojë efekte juridike, kanë shprehur vullnetin kundër integrimit në institucionet e Kosovës.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë forma, siç janë investimet në ekonomi, infrastrukturë dhe të tjera, që do ta përmirësonin jetesën e serbëve të veriut dhe përmes të cilave Qeveria e Kosovës mund ta ndryshojë mendimin e tyre dhe të paktën të përafrojë mundësinë e një komunikimi me ta.



Por, megjithatë, sipas Kërstoviqit, kjo nuk nënkupton mundësinë e sigurt se serbët do të pranojnë integrimin në institucionet e Kosovës, sepse, siç thotë ai, ata nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo që ata e quajnë interes nacional.

Madje, thotë Kërstoviq, nëse ekziston edhe vetëm një shans krejtësisht i vogël që ata të mbeten në kuadër të Serbisë, serbët e veriut kurrë nuk do të pranojnë të integrohen në institucionet e Kosovës.
Për statusin e Kosovës më nuk mund të ketë ndonjë diskutim tjetër, por mund të ketë eventualisht diskutim për ndonjë ‘Ahtisari plus’ për veriun e Kosovës.

“Për statusin e Kosovës më nuk mund të ketë ndonjë diskutim tjetër, por mund të ketë eventualisht diskutim për ndonjë ‘Ahtisari plus’ për veriun e Kosovës. Megjithatë, kjo është vetëm si mundësi, për të cilën ndoshta mund të bisedohet".

"Se çfarë do të nënkuptonte ajo në esencë dhe në përmbajtje, kjo është çështje tjetër, por është pikëpyetje edhe nëse është e mundshme. Kështu që, tash për tash, në këto rrethana, unë nuk mendoj se shumica e serbëve do të pranonin që veriut të integrohet në Republikën e Kosovës”
, thotë Kërstoviq.

Ndërkaq, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se faktorizimi i serbëve për të biseduar me Prishtinën zyrtare, nuk do të varet nga Qeveria e Kosovës, por nga pushteti i Beogradit, përkatësisht nga përgjegjësia që e ka marrë kryetari i ri serb, Tomisllav Nikoliq, për zgjidhjen edhe të problemit të veriut.

“Kjo do të thotë se serbët nuk do të jenë objekt, mbi të cilët do të bëhet përdorimi i forcës nga pushteti i Kosovës. Por, ky i fundit, nuk do të jetë pengesë për faktorizimin e tyre në kuadër të një sistemi të ri, i cili, në një mënyrë ose në një tjetër, paraqet një lloj të diskontinuitetit me sistemin normativ të Kosovës apo nënkupton mundësinë e faktorizimit, duke federalizuar tërësinë territoriale të Kosovës”.
...serbët nuk do të jenë objekt, mbi të cilët do të bëhet përdorimi i forcës nga pushteti i Kosovës.

“Pra, zgjidhja gjithsesi nuk do të jetë fizike, por zgjidhja politike, përkatësisht, faktorizimi i serbëve në kuadër të një ristrukturimi administrativ dhe normativ gjithsesi se do të jetë, sepse alternativë të tretë nuk ka”, vlerëson Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Kërstoviq thotë se serbët e veriut të Kosovës janë të dëgjueshëm ndaj Beogradit, sidomos tash, kur skena politike në Serbi ka pësuar ndryshime. Por, sipas tij, ende është mjaft e pasigurt se si do t’i udhëzojë Beogradi zyrtarë serbët e veriut.

“Tash, nëse ky pushtet i ndërruar, gjegjësisht, nëse këto strukturat të ndërruara të shtetit shkojnë në drejtimin që t’i bindin serbët e veriut të Kosovës që interesi i tyre është që të integrohen në Kosovë dhe në institucionet kosovare, ndoshta kjo do të kishte efekt”.

“Por, a do ta pranojë këtë rol Beogradi, unë në këtë moment nuk di se çfarë të them. Por, mbetet pikëpyetje edhe çështja se a do të ishin edhe serbët e veriut të dëgjueshëm lidhur me këtë
”, thekson Kërstoviq.

Por, politologu Beqaj thotë se Qeveria e Kosovës do të jetë e dëgjueshme ndaj faktorit ndërkombëtarë, për t’i dhënë një status të veçantë veriut të Kosovës dhe më pas, një gjë të tillë, ta paraqesë si një sukses të pushtetit dhe politikës së Kosovës.

“Gjithsesi, unë mendoj se kjo është një çështje tërësisht e gabuar, por sipas të gjitha gjasave dhe gjendjes faktike, është gjithnjë e më e mundshme. Aktualisht, ndoshta do t’i shtendosë tensionet aktuale, por në perspektivë, është një detonim, i cili do ta rrezikojë funksionalitetin dhe integritetin e Kosovës, në perspektivë”, shton Beqaj.

Qeveria e Kosovës, muajin e kaluar, ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës. Kjo zyrë, është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës, si dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG