Ndërlidhjet

Economist: Të jetosh me Putinin... përsëri!


Vladimir Putin
Vladimir Putin
" Economist "

Në margjinat e samitit të G20-s, presidenti i ri, por edhe i vjetër i Rusisë, Vladimir Putin, do të takojë Barak Obamën e Shteteve të Bashkuara, për herë të parë që nga zgjedhja e tij, në muajin mars.

Atmosfera duket të jetë e ftohtë. Që nga vendimi i tij për t’u rikthyer në Kremlin, Putini ka qenë negativ i zëshëm dhe anti-perëndimor, sidomos për Sirinë. Një sjellje e tillë kërkon përgjigje të fortë nga Perëndimi.

Kur zoti Obama ka ardhur në pushtet, administrata e tij ka folur për “rivendosje” të marrëdhënieve me Rusinë. Kjo qasje e re miqësore ka pasur disa pasoja të dobishme. Ajo i ka mundësuar Amerikës të negociojë dhe të ratifikojë një traktat strategjik të reduktimit të armëve. Ajo ka ndihmuar që Rusia të ketë një qëndrim pak më konstruktiv ndaj ambicieve bërthamore të Iranit dhe po ashtu i ka siguruar Rusisë hyrjen e pashmangshme në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por, rivendosja e marrëdhënieve, megjithatë, ishte bazuar në dy shpresa të gabuara - se Dmitri Medvedev, i cili kishte huazuar presidencën për një mandat nga Putini, do të merrte vërtet përgjegjësitë e vendit dhe se disa në qeverinë e tij kanë tingëlluar më liberalë.

Këto shpresa janë thyer me vendimin e zotit Putin për të lënë mënjanë zotin Medvedev dhe për të lejuar kthimin e tij në Kremlin.

Megjithatë, kjo nuk duhet të çojë në thyerje totale me Rusinë. Angazhimi konstruktiv duhet të vazhdojë në frontin ekonomik. Me çmimet e naftës në rënie, lidhjet e forta ekonomike me Perëndimin mund të ndihmojnë krijimin e një zone biznesi brenda Rusisë, e cila do të shihte nevojën për më tepër liberalizim, për të mbajtur ekonominë e saj në rritje. Dhe, Perëndimi patjetër se duhet të shohë për rregulla më të ashpra të vizave për njerëzit e biznesit rus.

Por, nëse angazhimi ekonomik është i drejtë, është po ashtu e drejtë të dënohet edhe autokracia joliberale e Putinit. Zoti Obama duhet të kritikojë të drejtat e varfra humane në Rusi, ashtu si edhe kredencialet demokratike. Ambasadorët perëndimorë nuk duhet të hezitojnë të bisedojnë me protestuesit e opozitës në Moskë.

Edhe në politikën e jashtme, Perëndimi duhet të qëndrojë fuqishëm. Rusia nuk duhet lejuar t’iu vërë veto planeve të Amerikës për mbrojtjen raketore në Evropë. As zoti Putin nuk duhet të lejohet që të vazhdojë bllokimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që autorizojnë ndërhyrjen në Siri, ashtu si edhe në Kosovë më 1999.

Liderët e G20-ës duhet të bëjnë të pamundurën për të vënë në siklet Putinin, për shkak të mbështetjes së tij për Asadin. Këtë javë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ishte mahnitëse në dënimin e Rusisë për shitjen e armëve në Siri.

Zoti Putin respekton rezistencën, jo dobësinë. Kjo ka rëndësi kur vjen puna te sjelljet skandaloze të qeverisë së tij, të tilla si burgosja e Mikhail Khodorkovskit, dikur shef i kompanisë së naftës Yukos, pastaj vrasja e avokatit Sergej Magnicki apo e ish-zyrtarit të sigurisë, Aleksander Litvinenko.

Në rastet si këto, është e drejtë të bëhen përpjeke për të identifikuar individët e përfshirë. Njëlloj është e drejtë që të punohet kundër pastrimit të parave përmes qendrave financiare perëndimore. Rusia nuk duhet veçuar, por ajo duhet trajtuar si vendet e tjera autokratike dhe të korruptuara.

Zoti Putin kultivon imazhin e një njeriu të fuqishëm, popullor dhe të admiruar, por vala e protestave, prejse ka bërë publik kthimin në Kremlin, ka shfaqur dobësinë e tij dhe humbjen e mbështetjes.

Baza e tij në pushtet ka nisur të gërryhet. Angazhimi ekonomik me Perëndimin, i kombinuar me kritika të fuqishme ndaj shkeljeve të tij demokratike dhe të të drejtave të njeriut, janë përgjigjja më e mirë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG