Ndërlidhjet

Arifi: Maqedonia të fokusohet në përfitimet nga dialogu me BE-në


Teuta Arifi
Teuta Arifi

Në mungesë të zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, Shkupi duhet të fokusohet në përfitimet që ofron dialogu në nivel të lartë në mes të Maqedonisë dhe Brukselit, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministrja për çështje të Integrimeve Evropiane në Maqedoni, Teuta Arifi. Ajo vlerëson lart arritjen e marrëveshjes për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, duke e cilësuar si shtytje në procesin e integrimit.



RADIO EVROPA E LIRË
Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, për dekriminalizimin e shpifjes, ka reagime të kundërta. Derisa Brukseli e ka përshëndetur këtë marrëveshje, gazetarët e këtushëm janë shprehur se dënimet e parapara janë të papërballueshme për standardin e këtushëm, gjë që edhe më tej do të ndikojë në vetë-censurimin e gazetarëve. Cili është komenti juaj ndaj reagimeve?

TEUTA ARIFI
Nga reagimet fitoj përshtypjen sikurse një pjesë e njerëzve, një pjesë e shoqërisë nuk kanë besuar se do të arrihet kjo marrëveshje, madje nuk kanë besuar as në kapacitetet evropiane të atyre që e kanë iniciuar këtë proces. Normalisht, se kur e kam iniciuar dialogun ndërmjet Qeverisë dhe gazetarëve, kam qenë shumë e vetëdijshme për kompleksitetin e situatave, koncepteve etj. Kam qenë më se e bindur se kjo do të rrumbullakësohet me sukses, me një marrëveshje.

Mendoj se është arritur para së gjithash një marrëveshje korrekte ndërmjet Qeverisë dhe gazetarëve, me ç`rast ne ramë në ujdi për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, kemi arritur marrëveshje sa i përket lartësisë dhe kompensimit, gjë që krahasuar me vendet e rajonit kemi një lartësi materiale korrekte.

Ajo që veçanërisht dua të theksoj, është se bëhet fjalë për një projekt dypalësh, do të thotë ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe veçanërisht në fazën e fundit, i lehtësuar nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian, të cilët ndihmuan në finalizimin e këtij procesi.

Mendoj se me kalimin e kohës gjithsesi me uljen e reagimeve, kjo marrëveshje do të shikohet në mënyrë më racionale dhe do të shikohen edhe benefitet e kësaj marrëveshjeje dhe përveç kësaj, tendenca ime është që ky proces i dialogut të vazhdojë edhe më tutje, me çështje që janë po aq të ndjeshme sa dhe çështja e dekriminalizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbase liria e të shprehurit jo pak është apostrofuar se është e kërcënuar nga më shumë faktorë në Maqedoni. Veçanërisht, kur skanohet puna e bartësve të institucioneve gjithmonë aktivizohen mekanizma të “padukshëm që mbrojnë politikë-bërësit dhe jo interesat e qytetarëve”, Çka jeni duke bërë në këtë drejtim?

TEUTA ARIFI
Liria e të shprehurit është një parim bazë i Bashkimit Evropian, një parim bazë i demokracisë dhe jo rastësisht është një nga çështjet kryesore që mbulohet me dialogun në nivel të lartë mes Brukselit dhe Maqedonisë. Fakti se në shtet ka pasur dhe ka probleme sa i përket gazetarëve, lirisë së shprehjes, është fakt, ngase është gjetur edhe në raportet e BE-së, po edhe në përgjithësi në proceset që ne kemi me BE-në.

Prandaj, konsideroj se hapja e dialogut apo dialogimi është ai që mundëson në mënyrë të hapur debatin për sa i përket ngritjes së këtyre standardeve. Mendoj se ne, si shoqëri, si elita politike, si elita intelektuale, si gazetarë, si media, duhet të punojmë bashkërisht në ngritjen e këtyre standardeve të lirisë së shprehjes dhe normalisht ne, si pjesë e politikës që jemi, të jemi të gatshëm të jetojmë, të mbijetojmë, të bashkëjetojmë edhe me kriticizmin e medieve, ngase duhet të mësohemi. Nuk pritet që çdo hap i politikës të lavdërohet nga mediat.

Po është shumë normale që ai të kritikohet nga mediat dhe kjo është një çështje krejtësisht e natyrshme në sistemet dhe botën demokratike, normalisht përderisa nuk është ofendim dhe përgojim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Arifi, theksuat se dialogu i dikasterit tuaj me Shoqatën e Gazetarëve, në vazhdën e përmbushjes së obligimeve të parashtruara nga komuniteti ndërkombëtar, nuk mbyllet me arritjen e marrëveshjes për dekriminalizimin. Cilave çështje do t`u jepet prioritet gjatë verës deri në mbylljen e raportit të progresit të Komisionit Evropian?

TEUTA ARIFI
Po ne, kur kemi hapur dialogun me përfaqësuesit e medieve, njëkohësisht kemi hapur një numër më të gjerë të temave të debatit. Dekriminalizimi është njëra, e dyta ka qenë statusi dhe çështja e sindikatave të gazetarëve të Maqedonisë, që përfshin të gjitha elementet që lidhen me të drejtën e punës së gazetarëve.

Si çështje e tretë, televizioni publik i Maqedonisë, gjegjësisht përforcimi i kapaciteteve të servisit publik është temë serioze për çka bisedojmë. E katërta është çështja e shpërndarjes së mjeteve nga ana e fushatave të Qeverisë së Maqedonisë dhe në fund është kodeksi i etikës së gazetarëve.

Mirëpo, duhet pasur parasysh faktin se në kuadër të obligimeve që ne kemi marrë karshi BE-së, nga të gjitha këto tema obligimi, pjesë e udhërrëfyesit është çështja e dekriminalizimit dhe faktikisht ne atë tani po e finalizojmë dhe në raportin ndaj BE-së për këtë pikë ne jemi në rregull.

Megjithëse, dëshiroj që brenda gazetarëve, brenda tërë strukturës së medieve, të ndërtohet një opinion, i cili do të jetë i gatshëm për ta vazhduar këtë proces, për t’i dhënë një shtytje serioze debatit, ngase konsideroj se ky proces ndihmon shtetin në përmbushjen e kritereve, po ndihmon edhe gazetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund të muajit realizohet, nëse mund të shprehem kushtimisht, raundi i tretë i bisedimeve në nivel të lartë ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Brukselit për të valorizuar punën e autoriteteve të vendit sa i përket përmbushjes së detyrimeve. Pos dekriminalizimit, çka do të hidhet në tavolinë si detyrë e kryer?

TEUTA ARIFI
N nuk kemi takim, por kemi dorëzimin e raportit, ndërkohë që raundi i tretë i bisedimeve në nivel të lartë është caktuar për në shtator. Mund të them se deri në fund të qershorit ne do të kemi një raport, me të cilin do t`i drejtohemi BE-së, ku sa i përket çështjes së mediave do të raportohet për arritjen e marrëveshjes për dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit.

Do të jetë dhe raporti sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, që përgatitet nga ana e sekretariatit që është i angazhuar për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, do të raportohet dhe për ndryshimet dhe plotësimet që kanë të bëjnë me rregullativën zgjedhore, si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme lokale, dhe këto do të jenë tri pikat kyçe, në bazë të së cilave ne do të vlerësohemi.

Do theksuar se udhërrëfyesi ngërthen më shumë çështje që lidhen me reformat në sistemin gjyqësor, reformat në administratë, që janë vendosur si prioritete më afatgjate, po në këtë periudhë kohore jam më se e bindur se nga paralajmërimet e BE-së, që thonë se janë të kënaqur me dinamikën dhe unë mendoj se datat që janë vendosur në udhërrëfyes do të respektohen në mënyrë të plotë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë , pavarësisht përmbushjes së obligimeve të parashtruara nga komuniteti ndërkombëtar, zhbllokimi i procesit të integrimit mbetet peng i moszgjidhjes së kontestit të emrit. Partia e juaj fitoi zgjedhjet në emër të zhbllokimit; thatë se pritet zgjedhja e Qeverisë së re të Greqisë. Çka pas kësaj?

TEUTA ARIFI
Unë mendoj se ne, si vend, duhet që tërë përqendrimin tonë punën tonë ta ndërlidhim me dialogun në nivel të lartë, si instrument që Bashkimi Evropian na e ka dhënë për ta tejkauar këtë situatë që e kemi sa i përket kontestit të emrit.

Mirëpo, në të njëjtën kohë gjithsesi zgjidhja e kontestit të emrit është kyçe për hapjen formale të bisedimeve me BE-në, si dhe anëtarësimin në NATO.

Shpresoj që me përfundimin e zgjedhjeve në Greqi të kemi një qeveri stabile politike dhe në mënyrë konstruktive si edhe më parë. Do të angazhohem maksimalisht ashtu sikurse më herët, për të ndërtuar hapësirë më të mirë për të gjetur një zgjidhje për problemin e emrit.
XS
SM
MD
LG