Ndërlidhjet

Tsipras dhe Samaras premtojnë "fillim të ri"


Ilustrim

Ilustrim

Në Greqi po mbahen zgjedhjet e përsëritura parlamentare, të cilat mund të vendosin të ardhmen e vendit në Eurozonë.

Vendi është i ndarë në mes të partisë Syriza, të udhëhequr nga Aleksis Tsipras, dhe konservatores Demokracia e Re, të udhëhequr nga Antonis Samaras.

Tsipras është zotuar se marrëveshja për ndihmë, e negociuar me Bashkimin Evropian, do të jetë “histori” nëse partia e tij formon koalicionin qeveritar.

Samaras po ashtu kërkon të rinegociojë marrëveshjen për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi, por në një mënyrë më të butë.

Pas hedhjes së votës në Athinë, Tsipras ka thënë se grekët do të ruajnë vendin e tyre si “anëtarë të barabartë të Evropës”.

“Ne kemi mundur frikën. Sot hapim rrugën drejt shpresës. Sot hapim rrugën drejt së nesërmes më të mirë, me popullin tonë të bashkuar dhe krenar”, ka thënë Tsipras.

Shpresa të ngjashme ka shprehur edhe Samaras.

“Sot do të flasë populli grek. Nesër do të ketë një fillim të ri për Greqinë”, ka thënë Samaras.

Si kusht për marrëveshjen e ndihmës, e cila i sjell Greqisë miliarda euro, Athina duhet të zbatojë një sërë masash të ashpra kursimi, të cilat kanë nxitur edhe zemërimin publik.

Megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se 80 për qind e grekëve duan të mbeten në Eurozonë.
XS
SM
MD
LG