Ndërlidhjet

Greqi: Tsipras dhe Samaras premtojnë "fillim të ri"

  • RFE /RL

Greqi

Greqi

Exit-pollet në Greqi tregojnë se partia konservatore Demokracia e Re është në pëparsi të vogël kundrejt partisë majtiste, Syriza.

Sipas të dhënave që transmeton agjencia Reuters, Demokracia e Re do të fitojë nga 27.5 për qind deri në 30.5 për qind të votave, ndërsa Syriza në mes të 27 dhe 30 për qind të votave.

Në vendin e tretë, exit-pollet e njëjta parashohin PASOK-un socialist me 10 deri në 12 për qind të votave, ndërsa 7.5 për qind të tyre u japin ultra-nacionalistëve.

Në Greqi të dielën janë mbajtur zgjedhjet e përsëritura parlamentare, pas dështimit të palëve për të formuar koalicionin qeveritar pas zgjedhjeve të 6 majit.

Vendi është i ndarë në mes të partisë Syriza, të udhëhequr nga Aleksis Tsipras, dhe konservatores Demokracia e Re, të udhëhequr nga Antonis Samaras.

Tsipras është zotuar se marrëveshja për ndihmë, e negociuar me Bashkimin Evropian, do të jetë “histori” nëse partia e tij formon koalicionin qeveritar.

Samaras po ashtu kërkon të rinegociojë marrëveshjen për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi, por në një mënyrë më të butë.

Pas hedhjes së votës në Athinë, Tsipras ka thënë se grekët do ta ruajnë vendin e tyre si “anëtarë të barabartë të Evropës”.

“Ne e kemi mundur frikën. Sot hapim rrugën drejt shpresës. Sot hapim rrugën drejt së nesërmes më të mirë, me popullin tonë të bashkuar dhe krenar”, ka thënë Tsipras.

Shpresa të ngjashme ka shprehur edhe Samaras.

“Sot do të flasë populli grek. Nesër do të ketë një fillim të ri për Greqinë”, ka thënë Samaras.

Si kusht për marrëveshjen e ndihmës, e cila i sjell Greqisë miliarda euro, Athina duhet të zbatojë një sërë masash të ashpra kursimi, të cilat kanë nxitur edhe zemërimin publik.

Megjithatë, sondazhet e opinionit tregojnë se 80 për qind e grekëve duan të mbeten në Eurozonë.

Një ditë para zgjedhjeve, kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka bërë thirrje grekëve të qëndrojnë pas angazhimeve të qeverisë, si kusht për të ruajtur vendin në zonën e monedhës euro.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjedhjet greke të çojnë në atë rezultat, kur formuesit e qeverisë do të thoshin: ‘Po, ne do t ‘iu përmbahemi angazhimeve tona”, është shprehur Merkel.

Të shtunën, edhe kryeministri i Luksemburgut, Zhan Klod Xhanker, njëherësh lider i ministrave të financave të Eurozonës, ka thënë se nëse Tsipras fiton zgjedhjet, “pasojat për bashkimin monetar janë të paparashikueshme”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG