Ndërlidhjet

Syriza greke pranon humbjen


Udhëheqësi i partisë Syriza, Aleksis Tsipras.

Udhëheqësi i partisë Syriza, Aleksis Tsipras.

Udhëheqësi i partisë Syriza, Aleksis Tsipras, ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të Greqisë.

Rezultatet i kanë dhënë partisë konservatore Demokracia e Re 29.5 për qind të votave, ndërsa Syriza-s dhe Pasok-ut 27.1 për qind, përkatësisht 12.3 për qind.

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka thënë se votimet e së dielës kanë dëshmuar se grekët duan të mbesin në Eurozonë.

Sipas rezultateve preliminare, Demokracia e Re do të ketë 130 ulëse në parlamentin 300-vendesh. Ajo do të pasohet nga Syriza me 71 dhe Pasok-u me 33. Ultra-nacionalistët kanë fituar 6.9 për qind të votave dhe 18 mandate, ndërsa e majta demokratike 6.1 për qind të tyre dhe 18 mandate.

Po sipas këtyre rezultateve, Demokracia e Re dhe Pasok-u do të mund të formojnë një koalicion të shumicës.

Lideri i Pasok-ut socialist, Evangelos Venizelos, ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie me përgjegjësi kombëtare, e cila do të jetë në gjendje të bëjë “zgjedhje të vështira”.

Zyrtarët në Evropë dhe Uashington kanë shfaqur shpresën se qeveria e re greke do të formohet së shpejti.

Ata kanë qenë të shqetësuar me fitoren eventuale të Syriza-s, e cila ka thënë se do të heqë dorë nga marrëveshjet për ndihma me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar – çfarë do të rrezikonte edhe daljen e Greqisë nga Eurozona.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka uruar Samarasin për fitoren dhe ka shprehur bindjen se Athina do të veprojë në përputhje me angazhimet e saj të mëparshme.
XS
SM
MD
LG