Ndërlidhjet

Greqi: Thirrje për qeveri me përgjegjësi kombëtare


Greqi...
Greqi...
Partia konservatore e Greqisë, Demokracia e Re, ka nisur bisedimet për formimin e koalicionit, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Demokracia e Re ka fituar afro 30 për qind të tyre, ndërsa rivalja e saj kryesore, Syriza, 27 për qind.

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka thënë se votimet e së dielës kanë dëshmuar se grekët duan të mbesin në Eurozonë.

Populli grek ka shprehur vullnetin e tij për të qëndruar i lidhur me euron, për të mbetur pjesë integrale e Eurozonës, për të respektuar angazhimet e vendit dhe për të nxitur rritjen ekonomike. Kjo është fitore për gjithë Evropën”.

U bëj thirrje të gjitha partive politike që ndajnë këto synime, të bashkojnë forcat dhe të formojnë një qeveri të re të qëndrueshme. Unë do të bëj që sakrificat e popullit grek t’i rikthejnë vendit prosperitetin”, ka thënë Samaras.

Sipas rezultateve, Demokracia e Re do të ketë 130 ulëse në parlamentin 300-vendesh. Ajo do të pasohet nga Syriza me 71 dhe Pasok-u me 33. Ultra-nacionalistët kanë fituar 6.9 për qind të votave dhe 18 mandate, ndërsa e majta demokratike 6.1 për qind të tyre dhe 18 mandate.

Po sipas këtyre rezultateve, Demokracia e Re dhe Pasok-u do të mund të formojnë një koalicion të shumicës.

Lideri i Pasok-ut socialist, Evangelos Venizelos, ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie me përgjegjësi kombëtare, e cila do të jetë në gjendje të bëjë “zgjedhje të vështira”.

Duhet të ketë një qeveri, një qeveri të aftë për të siguruar funksionimin e shtetit, të ekonomisë dhe të shoqërisë; një qeveri të aftë për të kryer me sukses fazën e dytë të negociatave me partnerët tanë evropianë dhe për të çuar vendin tonë në një gjendje më të mirë, jo më të keqe. Ky lloj i qeverisë është qeveri e përgjegjësisë kombëtare, me pjesëmarrjen e Demokracisë së Re, Syriza-s, Pasok-ut dhe të Majtës Demokratike”, ka thënë Venizelos.

Lideri i Syriza-s, parti kjo që kundërshton masat e ashpra të kursimit për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi, ka hedhur poshtë thirrjet e tilla. Aleksis Tsipras ka thënë se partia e tij do të mbetet në opozitë.

Që nga e hëna do të vazhdojmë betejën tonë, duke besuar se e ardhmja nuk u përket atyre që terrorizojnë shpresën, por atyre që e mbështesin atë. Dita e re për Greqinë tashmë ka zbardhur”, ka thënë Tsipras.

Zyrtarët evropianë kanë mirëpritur rezultatet, duke shfaqur shpresën se qeveria e re greke do të formohet së shpejti.

Ne gjithmonë kemi thënë se Greqia i takon familjes evropiane, Bashkimit Evropian dhe Eurozonës. Andaj, ata (populli grek) e kanë bërë të qartë këtë. Jemi të lumtur me këtë zgjedhje”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuj.

Diplomatët evropianë kanë qenë të shqetësuar me fitoren eventuale të Syriza-s, e cila ka thënë se do të heqë dorë nga marrëveshjet për ndihma me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar – çfarë do të rrezikonte edhe daljen e Greqisë nga Eurozona.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka uruar Samarasin për fitoren dhe ka shprehur bindjen se Athina do të veprojë në përputhje me angazhimet e saj të mëparshme.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lëshuar një deklaratë duke thënë se është i gatshëm “të angazhohet me qeverinë e re” dhe të ndihmojë Greqinë të ecë përpara. (v.t.)
XS
SM
MD
LG