Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni - Greqi: Pritjet për zgjidhjen e emrit


Flamuri i Maqedonisë dhe ai i Greqisë

Flamuri i Maqedonisë dhe ai i Greqisë


Rezultati i zgjedhjeve të djeshme në Greqi ka ndarë në qëndrime njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare nëse do të ketë zhvillime pozitive në raport me Maqedoninë.

Fitorja e Demokracisë së Re, të Antonis Samarasit, i njohur në opinion për qëndrimet e tij negative në raport me Maqedoninë, sipas Denko Maleskit, ish ambasador i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, nuk mund të konsiderohet si më i keq se rezultati i zgjedhjeve të 6 majit, kur në Greqi morën mbështetje të lartë forcat ekstreme.

Maleski thotë se në politikë gjithçka është e mundur përfshirë këtu edhe një ndryshim të mundshëm të qasjes së Samarasit ndaj Maqedonisë.

Rrugët në politikë janë të çuditshme. Për shkak të stabilitetit rezulton se më mirë është që ka fituar Samaras, sesa partitë tjera ekstreme majtiste apo djathtiste. Samaras është i njohur me qëndrimet e tij në raport me çështjen maqedonase, në veçanti para 20 vjetëve, por të shpresojmë se ai më në fund do të fillojë të udhëheqë një linjë evropiane në politikën e tij që do të na jepte edhe neve shanse për një mirëkuptim më të mirë mes dy vendeve”, thotë Malevski, duke shtuar se rezultati nga zgjedhjet e së dielës në Greqi është pozitiv për stabilitetin jo vetëm të Greqisë, por dhe më gjerë.

Duket se në Greqi ka ngadhënjyer mirëkuptimi dhe kjo paraqet një mundësi për Greqinë që të lëviz drejt stabilizimit të saj ekonomik dhe duke marrë parasysh se pas ketij projekti qëndrojnë fuqitë e madhe evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shpresojnë se kjo përveç qëndrueshmërisë së shtetit grek do të reflektoj pozitivisht edhe në raportet mes dy vendeve tona”, shprehet ai.

Megjithatë, ai thotë se kontesti mes dy vendeve nuk do të mund të zgjidhet pa bërjen e një kompromisi dhe këtë duhet ta kenë të qartë edhe autoritetet në Shkup.

Nga ana tjetër, Albert Musliu analist politik, thotë se nuk duhet pritur asgjë nga rezultati i zgjedhjeve në Greqi, e cila, do të vazhdoj edhe më fuqishëm të kundërshtoj arritjen e një kompromisi me Maqedoninë.

Ne i dimë qëndrimin e tij. Madje Samarasi karrierën e tij e ka ngritur lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë. Kështu që qeveria e re edhe qëndrimet do t'i ketë më të ashpra se qeveria e kaluar dhe për ne ky është një shans i humbur pasi nuk arritën ta përdorim realitetin e qeverisë së kaluar. Ldhur me këtë çështje qëndrimi i Papndreut ishte më i butë. Mendoj se topi do të ngelet në anën tonë ”, thotë Musliu, duke shtuar se procesin e ndërlikon edhe më shumë rritja e ndikimit të forcave ekstremiste, të cilat, për herë të parë janë të përfaqësuara edhe në Parlamentin grek.

Gjithsesi se duhet të marrim parasysh edhe tensionimin në Greqi, e cila, kalon nëpër një fazë shumë të rëndë ekonomike. Rezultatet e zgjedhjeve na tregojnë se edhe tendencat nacionaliste janë duke u rritur. Për herë të parë kemi hyrjen në Parlamentin grek edhe të një partie ekstreme të djathtë, ashtu që edhe përmbyllja e çështjes së emrit do të ishte shumë problematike në këtë rend të ri të krijuar”, thotë Musliu.

Ndryshe, rezultati i zgjedhjeve në Greqi ende nuk është komentuar nga zyrtarët ndërsa në raport me çështjen e emrit, përfaqësues të qeverisë kishin deklaruar më parë se janë në pritje të formimit të një qeverie të qëndrueshme politike për të vazhduar negociatat për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme, e cila, nuk do të cënonte indentitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.
XS
SM
MD
LG