Ndërlidhjet

Reformat zgjedhore presin “ndërhyrjen e Kuintit”


Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi


Reformat zgjedhore në Kosovë kanë mbetur peng i konsensusit ndërmjet liderëve të partive më të mëdha politike.

Ndonëse Kuvendi i Kosovës ka formuar para më gjatë se një viti, një Komision ad hok për reformat zgjedhore dhe i ka dhënë së fundit atij edhe tre muaj tjerë mandatin që të përfundojë punën, ky Komision nuk po arrin t’i përcaktojë propozimet për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet, pa marrë paraprakisht pëlqimin e liderëve të partive kryesore.

Pas dështimit të mbajtjes së takimeve me liderët politikë më 22 dhe 29 maj edhe takimi i paraparë për datën 19 qershor është anuluar për shkak të agjendës së ngjeshur të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për reformën zgjedhore, Haki Demolli përmendi disa nga çështjet e hapura që duhet harmonizuar ndërmjet partive kryesore politike.

Si pjesë kryesore të sistemit zgjedhor gjithsesi që janë zonat, pastaj lloji i listave – të hapura apo të mbyllura, pastaj pragu zgjedhor, sistemi i ndarjes së ulëseve në Parlament dhe vota preferenciale”, ka thënë Demolli.

Ndërsa partitë politike tashmë nuk po mund të pajtohen rreth këtyre çështjeve të cilat i ka përmendur deputeti Haki Demolli, Krenar Gashi nga Instituti për Politika Zhvillimore, që organizoi këtë debat, kërkoi që të dëgjohet zëri edhe i shoqërisë civile.

Jemi mbledhur këtu për të dhënë kontributin por edhe për ta ballafaquar mendimin tonë me të tjerëve në mënyrë që të lëmë një gjurmë në debatin, diskursin publik e cila do të duhej të merrej parasysh nesër apo në një rast tjetër kur të merret vendimi përfundimtar për këtë reformë”, ka theksuar Gashi.

Gjatë një hulumtimi që Instituti për Politika Zhvillimore kishte bërë në lidhje me reformën zgjedhore, kishte ardhur në përfundim se debati kryesor po përqendrohet tek zonat zgjedhore.

Analistja e këtij instituti, Dita Dobranja tha se ka ide që të ketë 100 zona, sipas numrit të ulëseve të deputetëve që zgjidhen drejtpërdrejtë nga vota e qytetarëve, pastaj 37 zona sipas numrit të komunave apo 6 deri në 7 zona, sipas rajoneve.

Të gjitha këto zgjidhje, do ta dëmtonin demokracinë ngase në atë rast vota e qytetarëve nuk do të ishte e barabartë, tha Dobranja.

Zgjedhja më e mirë do të ishte që të mbetet Kosova një zonë zgjedhore ashtu siç është aktualisht. Kryesorja për ne është që pesha e votuesit të mbetet e njëjtë, përkatësisht një votues pavarësisht se në cilën zonë, a rajon ndodhet ta ketë peshën e njëjtë të votës për ta zgjedhur deputetin për të cilin voton”, ka thënë Dobranja.

Nëse ia del që t’i tejkalojë problemet që ka me grumbullimin në një takim të liderëve të partive më të mëdha dhe nëse arrin konsensusin e tyre, kryetari i Komisionit Haki Demolli, tha se synimet janë që reformat zgjedhore, si amendamente për ndryshimin e ligjit përkatës do t’i ofrohen Kuvendit për miratim në fund të korrikut.

Sipas planit të veprimit ka qenë e paraparë që të inkorporohen zgjedhjet që dalin nga takimi me liderët e partive politike së bashku me çështjet që kanë qenë të hapura dhe të cilat do të shqyrtohen në mënyrë që kah fundi i muajit korrik ne të dorëzojmë draftligjin e kompletuar Kuvendit”, ka thënë Demolli.

Përpjekja e radhës për t’i mbledhur në një takim liderët e partive më të mëdha që të merren vesh për çështjet e hapura në lidhje me reformën zgjedhore synohet të realizohet ditën e enjte më 21 qershor.

Mirëpo, në bazë të përvojave nga e kaluara, liderët kosovarë sa herë që kanë pasur mospajtime janë marrë vesh vetëm në rastet kur ata janë takuar në një tavolinë që është thirrur nga përfaqësuesit ndërkombëtar, kryesisht nga vendet e Kuintit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG