Ndërlidhjet

Rasti "Medicus" dhe raporti i Martit, dy çështje të ndara


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Derisa vazhdon të jetë e vlefshme ftesa e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë që lidhur me rastin “Medikus” para trupit gjykues si dëshmitar të paraqitet ish-senatori zviceran, Dik Marti, task-forca speciale, e cila po heton akuzat e përmendura në raportin për trafikim me organe njerëzore gjatë periudhës 1998-1999 të këtij të fundit, bën një ndarje në mes të dy proceseve.



Zëdhënësi i task-forcës speciale për hetimin e akuzave që ndërlidhen me trafikim të organeve njerëzore, Juri Las, i tha Radios Evropa e Lirë se këto dy çështje janë të ndara, meqë bëhet fjalë për dy lloj krimesh që dyshohet të kenë ndodhur në periudha të ndryshme kohore.

“Ato që po i analizojmë janë dy lloj krimesh të ndryshme dhe dy periudha të ndryshme kohore. Natyrisht se është e qartë se nuk mund të thuhet diçka qind për qind, por esenca është se bëhet fjalë për dy lloj krimesh dhe dy periudha kohore të ndryshme".

"Rasti Medikus është gjykim që është në zhvillim e sipër. Mirëpo, nëse në të ardhmen del diçka në këtë drejtim, nuk mund të përjashtohet kjo (ndërlidhja)”, tha Las.

Në fund të vitit 2010 ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, ia pat paraqitur Asamblesë Parlamentare të këtij mekanizmi një raport i cili, ndër të tjera, akuzon pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë kryeministrin aktual të vendit, Hashim Thaçi, të kenë qenë të përfshirë në trafikim me organe njerëzore, armë dhe drogë gjatë dhe në kohën pas luftës në Kosovë.

Klinika Medicus
Klinika Medicus
Në pjesën e dytë të vitit të kaluar, në krye të task-forcës speciale për hetimin e këtyre akuzave ishte emëruar prokurori amerikan, Klint Uilljemsën, i cili përgjatë muajve të shkuar ka zhvilluar afro dhjetë vizita në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd për të mbledhur informata që mund të sjellin më shumë qartësi rreth akuzave të Martit.

Pa dashur të flasë me emra, Las tha se në kuadër të hetimeve të deritashme janë kontaktuar disa persona që supozohet se posedojnë informata të rëndësishme.

“Task-forca speciale e hetimeve vazhdimisht është duke siguruar materiale nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informata dhe duke zbatuar aktivitetet e saja hetuese".

"Mund të them gjithashtu se task-forca ka iniciuar kontakte me individë kryesorë që kanë informata të rëndësishme për hetimet”, njoftoi ai.

Pavarësisht trajtimit të ndarë që autoritetet përgjegjëse u bëjnë hetimeve për trafikim me organe njerëzore dhe atyre në rastin “Medikus”, një ndërlidhje nuk ishte hedhur poshtë në vet raportin e Martit.

“...ne kemi gjetur një varg indikacionesh kredibile dhe konvergjente se komponenta e trafikimit me organe gjatë arrestimeve pas konfliktit të përshkruara në raportin tonë është ngushtë e ndërlidhur me rastin e sotëm të Klinikës Medikus, jo vetëm përmes personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që paraqiten si bashkë-konspiratorë në të dyja (rastet)”, thuhej në raport.

Mirëpo, Marti nuk iu përgjigj ftesës për të dëshmuar të hënën para trupit gjykues në Prishtnë duke bërë që të shtyhet paraqitja e tij si dëshmitar në rastin “Medikus” për muajin shtator.

Prokurori udhëheqës i EULEX-it në rastin “Medikus” Jonathan Ratel, ndërkaq, shprehu bindjen Marti “ka në dorë evidencën për këtë rast”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, vlerësoi se publikimi i raportit të senatorit zviceran, dy vite më parë, ka shtuar interesimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për zbulimin e një rrjeti më të gjerë të trafikimit me organe njerëzore.

Ajo shfaqi pesimizmin e saj rreth një ndërlidhjeje të mundshme në mes të dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë dhe pasluftës në Kosovë dhe atyre që kanë të bëjnë me rastin “Medikus”.

Por, qëllimi kryesor i të dyja rasteve, sipas saj, është vënia para drejtësisë e personave të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit me organe njerëzore.
Kjo do të shërbejë vetëm si argument për të iniciuar raste të tjera në kontinente të tjera, në shtete të tjera...

“Kjo do të shërbejë vetëm si argument për të iniciuar raste të tjera në kontinente të tjera, në shtete të tjera, sepse kjo ndodhë në të gjithë botën-në Kinë, Indi dhe në të gjitha këto vende”, tha ajo në një prononcim dhënë programit tonë.

Për një rrjet të tillë, ndërkaq, flitet në rastin “Medikus”, padia e të cilit bën fjalë për dhjetëra transplantesh të paligjshme të organeve njerëzore, të kryera në një klinikë në Kosovë e të destinuara për vendet si Turqia, Moldavia dhe Rusia.

Akuzat për trafikim të organeve, krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës dhe ndërmarrje të jashtëligjshme të veprimtarisë mjekësore rëndojnë që nga marsi i 2011-tës mbi shtatë kosovarë, në mesin e të cilëve dr. Lufti Dervishi, profesor i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, i cili e kishte themeluar klinikën, dhe Ilir Rrecaj, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, që e kishte dhënë licencën për themelimin e klinikës.

Kirurgu turk, Jusuf Sonmez, paralelisht është akuzuar në Turqi për kryerjen e së paku 11 operacioneve në klinikën Medikus, ndërsa izraeliti Moshe Harel, po gjykohet në mungesë në Turqi.
XS
SM
MD
LG