Ndërlidhjet

SHBA, Rusi: Obama dhe Putini diskutojnë Sirinë

  • RFE /RL

Vlladimir Putin dhe Barak Obama

Vlladimir Putin dhe Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë takuar në margjinat e Samitit të G20-ës në Meksikë, për bisedimet e para dypalëshe që nga rikthimi i Putinit në Kremlin, në muajin maj.

Duke folur për gazetarët, Obama ka thënë se janë pajtuar për nevojën e suksesit në fushat me interes të përbashkët, “ndonëse ka fusha ku nuk pajtohen”.

Kemi diskutuar Sirinë dhe jemi pajtuar se duhet të shohim fundin e dhunës, se duhet krijuar një proces politik për të penguar luftën civile dhe vdekjet e tmerrshme që kemi parë gjatë disa javëve të fundit. Jemi zotuar se do të punojmë edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Kombet e Bashkuara, Kofi Ananin dhe të gjitha palët e interesuara, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të problemit”, ka thënë Obama.

Uashingtoni ka kërkuar ndihmën e Rusisë në zgjidhjen e krizës urgjente politike dhe humanitare në Siri, ku forcat e presidentit Bashar al-Asad thuhet se kanë vrarë rreth 14,000 njerëz gjatë kryengritjes 15-muajshe.

Deri më tash, Rusia ka rezistuar t’iu bashkohet thirrjeve ndërkombëtare që Asadi të lërë pushtetin, duke i mbetur besnik aleatit të saj të fundit në Lindjen e Mesme. Ajo ka mbrojtur regjimin e Asadit nga sanksionet ndërkombëtare për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.

Deklarata e përbashkët, e lëshuar nga dy liderët, është shquar për faktin se ajo nuk i bën thirrje Asadit të japë dorëheqje. Në vend të kësaj, teksti bën thirrje për “ndalimin e menjëhershëm të dhunës” dhe shpreh “mbështetje të plotë për përpjekjet e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe për krizën në Siri, Kofi Anan, si dhe për tranzicionin në një sistem politik demokratik dhe pluralist”.

Ajo po ashtu thekson se SHBA-ja dhe Rusia janë “të bashkuara në besimin se populli sirian duhet të ketë mundësinë që, në mënyrë të pavarur dhe demokratike, të zgjedhë të ardhmen e tij”.

Gjatë takimit të dy udhëheqësve, një agjenci ruse e lajmeve ka raportuar se dy anije të Rusisë po përgatiten të udhëtojnë drejt Sirisë me marinsat që do të ndihmojnë qytetarët rusë dhe një bazë ushtarake ruse atje.

Siria ka qenë konsumator i madh i armëve sovjetike dhe ruse për rreth 40 vjet. Moska ka vazhduar t’i sigurojë armë shtetit sirian, me gjithë thirrjet e Perëndimit për të ndaluar furnizimet.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka kritikuar ashpër Rusinë javën e kaluar, duke e akuzuar atë për përshkallëzimin dramatik të dhunës në Siri, me dërgimin e helikopterëve sulmues.

Kur është zgjedhur president, Obama i ka vënë theks të veçantë riparimit të marrëdhënieve me Rusinë, duke shpallur “rivendosjen e marrëdhënieve”. Që atëherë, dy vendet kanë bashkëpunuar në luftën në Afganistan dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët strategjik. Obama dhe ish-presidenti rus, Dimitri Medvedev, tani kryeministër, kanë pasur marrëdhënie qejfi në dhe jashtë skenës botërore.

Por, këto raporte kanë rrëshqitur teposhtë muajt e fundit dhe rikthimi i Putinit në postin e presidentit nuk pritet të ndihmojë çështjen.

Obama nuk i ka telefonuar Putinit për ta uruar disa ditë pas zgjedhjes së tij në muajin mars. Pastaj, Putini ka shpërfillur Obamën duke mos marrë pjesë në samitin e G8-ës në muajin maj, nikoqir i të cilit ishte presidenti amerikan.

Në takimin e fundit me Putinin, Obama ka shfaqur besimin se “tensionet” midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të zgjidhen.

Ndërkohë në Moskë, negociatorët amerikanë dhe rusë, së bashku me përfaqësuesit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Kinës, janë takuar me zyrtarët e Iranit, për të diskutuar programin bërthamor të Republikës Islamike.

Kjo temë nuk është lënë anash as nga Obama dhe Putini.

Kemi theksuar qasjen tonë të përbashkët kur është fjala për situatën në Iran. Si anëtarë të grupit P5+1, jemi pajtuar se ka ende kohë dhe hapësirë për të zgjidhur në mënyrë diplomatike çështjen e zhvillimit eventual të armëve bërthamore nga ana e Iranit”, ka thënë Obama.

Rusia ka marrë pjesë në përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të sanksionuar Iranin për shkak të mungesës së transparencës së tij në lidhje me aktivitetin bërthamor, porse ka bllokuar dënimet e ashpra të tij.(v.t.)
XS
SM
MD
LG