Ndërlidhjet

Borisov: Marrëveshjet Kosovë – Serbi të implementohen


Takimi Borisov - Thaçi në Sofje
Takimi Borisov - Thaçi në Sofje
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur nga kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, thuhet në faqen në Internet të kryeministrit të Kosovës.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe falënderoi kryeministrin bullgar për njohjen që Sofja i ka bërë shtetit të Kosovës.

Në takimin e sotëm, kryeministri Thaçi prezantoi të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës në këto 4 vite të shtetësisë, duke theksuar se Kosova tash është e përkushtuar fuqishëm në përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit.

Në kuadër të agjendës evropiane, vizioni dhe puna e Qeverisë së Republikës së Kosovës është e fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal – u shpreh kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në UNESCO.

Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov, theksoi se Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë njohje ka pasur konsensus të lartë të të gjithë spektrit politik dhe institucional.

Mëtutje ai theksoi se Bullgaria e mbështetë perspektivën evropiane të Kosovës dhe shtoi se në rrugën e Kosovës për në BE, Bullgaria është e gatshme që ta mbështesë Kosovën me përvojat e saj në këtë proces.

Kryeministri Borisov theksoi se Qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, duke inkurajuar forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në këtë aspekt, Borisov e mbështeti përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun për çështjet teknike me Serbinë.

Në këtë kontekst, kryeministri Borisov e inkurajoi kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e Kosovës, për të vazhduar në këtë frymë evropiane, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti mund të arrihen vetëm ndërmjet dialogut, ndërsa marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet që sa më shpejtë të implementohen.
XS
SM
MD
LG