Ndërlidhjet

Kosovë: Shtrenjtohet energjia elektrike 8.9 për qind


Ilustrim
Ilustrim

Energjia elektrike në Kosovë, sipas vendimit të Zyrës se Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), do të shtrenjtohet për 8.9 për qind.

Zëdhënësja e ZRrE-së , Adelina Murtezaj tha për Radion Evropa e Lirë se ky vendim është marrë pas shqyrtimit të aplikacioneve të dy ndërmarrjeve të energjisë në Kosovë.

Sot, në takimin e bordit të ZRRE-së, pasi që janë shqyrtuar aplikacionet e dy ndërmarrjeve të energjisë, KEK-ut dhe KOST-it, përfundimisht bordi ka vendosur që tarifat e reja të energjisë elektrike të reflektojnë një ngritje prej 8.9 për qind”, theksoi ajo.

Sipas Muretezaj, tarifat e reja do të fillojnë të aplikohen duke filluar nga data 1 qershor e këtij viti, dhe kompanitë e energjisë elektrike mund të fillojnë të bëjnë llogaritjen e faturave me këtë ngritje.

Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka ngritur shqetësime të mëdha tek organizatat joqeveritare në Kosovë.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se kjo ngritje e energjisë elektrike do të ketë ndikim negativ si në biznes, ashtu edhe te standardi jetësor i qytetarëve.

Një masë e tillë në këtë kohë të rënduar me kriza, në këtë kohë të goditur të standardit jetësor dhe biznesor në Kosovë, kjo masë nuk është e popullarizuar dhe nuk është masë që do t’i nevojitet Kosovës, ka forma tjera për të ndihmuar Korporatën Energjetike të Kosovës, ka pasur forma tjera për të ndihmuar konsumatorin dhe biznesin. Këto forma është dashur t’i hulumtojë qeveria dhe t’i ndihmojë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, që ajo të jetë komode në marrjen e vendimit”, tha Kaçaniku.

Kjo ngritje e çmimit të energjisë elektrike, sipas Kaçanikut, po e rëndon edhe më shumë jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Shtrenjtimi energjisë elektrike do të reflektojë në ngritjen e çmimeve edhe të produkteve tjera.

Në anën tjetër, Nazim Haliti, nga Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ngritje e çmimit të energjisë do të jetë edhe një barrë më shumë për qytetarët

Gjithçka duket e koordinuar, mbase u pa në opinion publik lidhur për ofertën e lirë të konsorciumit turk për shitjen e distribucionit, në anën tjetër ka ngecur projekti i ndërtimit të termocentralit të ri, ndërkohë shumë herë është thënë nga ministri Besim Beqaj, se në të ardhmen kostoja e prodhimit të energjisë do të jetë më e lartë, 300 për qind me e lartë se sa që është sot. Kjo është e paarsyeshme, duke pasur parasysh koston dhe standardin jetës në Kosovë”, tha ai.

Çmimi mestar i energjisë elektrike në Kosovë para këtij vendimi ishte 5.6 cent për kilovat, që sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës është çmimi më i lirë në rajon.

Ndryshe, në kohën kur ishte paralajmëruara ngritja e çmimit të energjisë elektrike, kishte reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ata kishin thënë se ngritja e tarifave do të kontribuojë në ashpërsimin dhe përkeqësimin e standardit jetësor për kategoritë që jetojnë në kushte të rënda sociale.
XS
SM
MD
LG