Ndërlidhjet

Jahjaga përgjigjet, e gatshme të takohet me këdo në interes të Kosovës

  • RFE /RL

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, që me zgjedhjen në këtë funksion ka deklaruar se do të jetë e gatshme që të takohet me këdo, kurdo dhe kudo kur kjo është në interes të popullit dhe të shtetit të Kosovës.

"Presidentja Jahjaga përfaqëson unitetin e popullit dhe me këtë edhe unitetin politik të vendit, duke respektuar mandatin kushtetues dhe ligjet e Republikës së Kosovës".

"Republika e Kosovës, është shtet sovran dhe i pavarur, që ka të garantuar integritetin e saj territorial dhe në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare përfaqësohet vetëm si e tillë dhe si subjekt i barabartë me të tjerët", ka thënë thënë për Radion Evropa e Lirë, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Jahjaga.

Ajo i ka dhënë përkrahje "të vazhdueshme procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e BE-së, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

"Dialogun e konsideron si të vetmen alternativë dhe të vetmen rrugë që dy vendet, të cilat kanë kaluar nëpër luftë të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe t’i sanojnë pasojat dhe dëmet e luftës".

Presidentja Jahjaga dialogun në Bruksel e "ka parë si të vetmen rrugë me të cilën Serbia mund të detyrohet që të respektojë normat ndërkombëtare karshi Kosovës dhe popullit të saj".

"Presidentja Jahjaga thekson se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet dy vendeve", ka thënë Vllahiu.

Ndryshe, kjo deklaratë pason gatishmërinë e shprehur të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, të bisedojë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kështu të paktën ka pohuar për Radion Evropa e Lirë, Jellko Kacin, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Sipas tij, Nikolliqi, gjatë vizitës në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë të takojë çdonjërin në Kosovë, përveç kryeministrit Hashim Thaçi.

Nikolliq ka qëndruar në Bruksel javën e kaluar, ndërsa zyrtarët e atjeshëm i kanë thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është thelbësor për Serbinë, që të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG