Ndërlidhjet

logo-print

Evropës i duhen “hapa të shpejtë” për zgjidhje të krizës


Liderët e G20-ës

Liderët e G20-ës

Udhëheqësit e G20-ës i kanë bërë thirrje Evropës të ndërmarrë hapa të shpejtë për të kontrolluar krizën e saj financiare.

Duke folur në fund të samitit dyditor në Meksikë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka shprehur besimin se liderët evropianë do të bëjnë veprimin e duhur për të zgjidhur krizën financiare.

“Së pari, miqtë tanë në Evropë e kanë kuptuar qartë seriozitetin e situatës dhe po veprojnë me urgjencë. I mirëpres hapat që kanë ndërmarrë tashmë për të nxitur rritjen, stabilitetin financiar dhe përgjegjësinë fiskale”.

“Jam i lumtur që udhëheqësit evropianë kanë thënë se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur integritetin dhe stabilitetin e Eurozonës, për të përmirësuar funksionimin e tregjeve financiare”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan ka deklaruar se Evropa ka mjete për të zgjidhur vetë krizën, duke lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara, të cilat vazhdojnë të vuajnë problemet e veta ekonomike, nuk do të ofrojnë ndonjë premtim financiar për të ndihmuar partnerët e tyre ndërkombëtarë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është më shumë i shqetësuar për fatin e dollarit amerikan, sesa të euros, duke vënë në dukje borxhin e Qeverisë amerikane në vlerë prej 15 trilionë dollarësh.

Liderët evropianë kanë thënë në samitin e G20-ës se synojnë të punojnë në hapa konkretë për të integruar sektorët e tyre bankarë.
XS
SM
MD
LG